Ditët e fundit, në dyert dhe zyrat e disa institucioneve të rëndësishme publike, është shfaqur një personazh i quajtur Knidi Bashari, një emër pothuajse i panjohur për publikun, por jo për drejtësinë shqiptare dhe agjencitë e huaja hetimore.
Knidi Bashari ka nisur të trokasë në dyert e zyrave të institucioneve publike, duke u vetëprezantuar si këshilltar në Kryeministri për dixhitalizimin, pozicion ky që dikton qasje bashkëpunuese me përfaqësuesit dhe titullarët e organeve publike, pasi dixhitalizimi i shërbimeve është prioritet për qeverinë.
Depërtimi dhe lëvizjet e tij nëpër oborret dhe zyrat e institucioneve publike të kujton historinë e famshme të Grigori Rasputin.
Deri më tani nuk dihet nëse Bashari është emëruar si këshilltar pranë Kryeministrisë për dixhitalizimin, në ç’rrethana dhe kur mund të jetë emëruar. Pra, nuk dihet nëse Knidi Bashari është vërtetë këshilltar në Kryeministri, është planifikuar për t’u emëruar në të ardhmen apo ia ka atribuuar vetes këtë funksion, për të depërtuar dhe pasur akses në institucionet publike, për interesa të dyshimta.
Knidi Bashari nuk ka mbirë nga hiçi. Ai ka ushtruar më parë funksionin e këshilltarit të ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Vetëprezantimi i Basharit si këshilltar në Kryeministri përkon me formimin e qeverisë së re dhe emërimin e Ahmetajt në postin e zëvendëskryeministrit, çka nuk e përjashton mundësisë që Ahmetaj t’i ketë premtuar për ta punësuar në Kryeministri pikërisht si këshilltar për dixhitalizimin.
Megjithatë, duket i pashpjegueshëm dhe i dyshimtë nxitimi i Basharit për t’u vetëprezantuar në institucionet publike, përfshirë edhe në atë të rëndësisë së veçantë, në një kohë kur qeveria e re ende nuk është betuar tek Presidenti i Republikës.
Knidi Bashari rezulton bashkëpronar me 45 % të aksioneve në kompaninë ‘KEMINET’, e cila ushtron veprimtarinë në ofrimin e shërbimeve të internetit, dizajnimin e rrjeteve private dhe publike të komunikimit etj., pra në fushë që përkon me dixhitalizimin.
Në vitin 2016, në Prokurorinë shqiptare mbërrin një kërkesë nga Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila kërkonte bashkëpunim në funksion të një hetimi të nisur për një krim të dyshuar kompjuterik. E dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet të paligjshëm ishte pikërisht kompania ‘KEMINET’, me administrator dhe bashkëpronar Knidi Basharin.
Në letërporosinë e mbërritur në Shqipëri, me të tjerave, thuhej se prokuroria e Distriktit Perëndimor të Nju Jorkut dhe Seksioni i Krimit Kompjuterik dhe Pronës Intelektuale i Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe FBI janë duke hetuar nëse persona të panjohur kanë shkelur ligjet penale të SHBA-ës, duke hyrë pa autorizuar në rrjetet kompjuterike, duke interceptuar kredencialet e llogarive të përdoruesve të shërbimeve të shumta në rrjet, duke bërë të mundur sulme të grupuara për mohimin e shërbimeve dhe duke krijuar një mekanizëm për infektime të mëtejshme.
Nga hetimet paraprake kishte rezultuar se një nga adresat që lidhet me këtë aplikacion të dëmshëm, të çonte në një server që ndodhej në Shqipërisë. Adresa në fjalë figuronte e regjistruar me të dhënat: Knidi Bashari; Keminet LTD. Teksa institucionet ligjzbatuese shqiptare iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së FBI-së për bashkëpunim, Knidi Bashari ushtronte funksionin e këshilltarit në Ministrinë e Ekonomi. Në vijim, Bashari, krahas funksionit publik, shtoi aksionet në kompaninë ‘KEMINET’, e cila ka nisur të fitojë para publike, edhe përmes tenderave në konflikt të dukshëm interesi.
Deri më tani nuk ka të dhëna mbi përfundimit të hetimeve nga FBI-së rreth kompanisë ‘KEMINET’ dhe Knidi Basharit. Por pyetja që shtrohet natyrshëm është: A do të ketë akses në sistemet e institucioneve të rëndësisë së veçantë, ku ruhen informacione tepër sekrete, një personazh si Knidi Bashari, i dyshuar nga FBI për përfshirje në mundshme në krim kibernetik?! A rrezikohen sistemet e informacionit në Ministrinë e Brendshme dhe organet e tjera nga ndërhyrjet e paautorizuara, kopjimi dhe ndoshta përcjellja e informacioneve sekrete tek shërbime jo partnere?!