Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vënë në lëvizje për të bllokuar çdo pazar të mundshëm për të penguar shkarkimin e presidentit. Gazeta “SOT” më 15 shtator e paralajmëroi në një artikull se në prapaskenë po gatuhet një plan për të bllokuar shkarkimin e Metës. Sinjalet janë se ka një afrim mes presidentit dhe kryeministrit.
Pazari ishte që Meta të mos bllokonte qeverinë e re, ndërsa mazhoranca do braktisë përpjekjet e saj për të vulosur shkarkimin në Kushtetuese. Por duket se në mes kanë hyrë amerikanët. Ambasadorja Yuri Kim ka shkuar dje në Gjykatën Kushtetuese, ku ua ka bërë të qartë anëtarëve që të marrin vendim vetëm sipas ligjit dhe të ruajnë integritetin e tyre. Po ashtu ajo tha se shumë shpejt gjykata do ketë 9 anëtarë.
“Teksa Gjykata Kushtetuese kthehet në seancë, unë shkova për të nderuar gjykatësit. Kritike për Kushtetuesen që të vazhdojë të japë gjykime me integritet dhe pavarësi, në përputhje me betimin e tyre në detyrë. Ne jemi duke punuar me institucionet përkatëse kështu që Gjykata Kushtetuese do të ketë anëtarësim të plotë”, njoftoi ambasadorja në rrjetet sociale.
Lëvizjet në prapaskenë
Nëse i marrim me radhë faktet, duket qartë se kemi një pazar të fortë në prapaskenë. Së pari prej 9 muajsh po mbahet peng plotësimi i Gjykatës së Lartë. Kushtetuesja ka me ligj 9 anëtarë dhe 3 të fundit i emëron Gjykata e Lartë. Kjo e fundit nuk i ka emëruar emrat e saj sepse nuk ka krijuar kuorumin e nevojshëm prej 10 anëtarësh. Momentalisht janë në detyrë vetëm 9 dhe anëtari i dhjetë nuk emërohet. Emri i fundit që duhet të kalojë është nga radhët e juristëve dhe ai është kualifikuar që në muajin dhjetor të vitit që lamë pas. Por KLGJ nuk është kujtuar asnjëherë të marrë vendim për emërimin e tij.
Pra duket se po mbahet qëllimisht peng Gjykata e Lartë, pasi përmes saj nuk plotësohet dot Kushtetuesja. KED nga ana e saj po vijon me verifikimin e kandidatëve, por nuk kemi asnjë zhvillim as prej saj. Ndërkohë një tjetër fakt është se sipas ligjit, kolegji i Gjykatës Kushtetuese duhet të mbyllë shqyrtimin brenda 3 muajve. Më 14 shtator skadoi afati për dosjen e Metës dhe nuk ka asnjë sinjal. Pra janë një sërë elementësh që të bëjnë të dyshosh se kemi pazare.
Afrimi Rama-Meta
Sinjalet për një afrim Rama-Meta erdhën që kur në Tiranë mbërriti ish-ambasadori Richard Grenell. Ky i fundit u prit nga Meta dhe u strehua në hotelin e një biznesmeni pranë Metës. Ndërkohë të vetmin individ tjetër që takoi ishte Rama. Gazeta “SOT” ishte e vetmja që tha në atë kohë se ai po ndërmjetësonte një afrimitet mes Ramës dhe Metës.
Nëse shohim ditët e fundit del qartë se Rama e Meta kanë sheshuar konfliktet. Meta dekretoi Ramën si kryeministër dhe për 3 ditë dekretoi ministrat e rinj. Vlerësoi Lindita Nikollën si kryetare Kuvendi, ndërkohë që Rama deklaroi se do betohet te Meta. Pra duket si skenar i mirëmenduar që nuk do kishte asnjë problem me qeverinë e re. Në këmbim të dekretimit duket se Meta fiton qëndrimin në detyrë. Sinjalet janë se nuk do kemi shkarkim në Kushtetuese. Të gjithë janë bërë bashkë për të mbajtur me 7 anëtarë këtë gjykatë, e cila rrit ndjeshëm rreziqet që të mos kemi fare vendim lidhur me dosjen për presidentin.