Pedagogia Iris Luarasi mendon se situata e ekonomisë në vendin tonë nuk është edhe aq alarmante sa e paraqesin sondazhet e ndryshme që zhvillohen në media. Sipas profesores së Gazetarisë, rënia e ekonomisë ishte e pritshme gjatë vitit që shkoi.
Iris Luarasi tha se ka qenë pandemia ajo që e ka përkeqësuar gjendjen ekonomike të shumicës së familjeve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë.
“Shumica e njerëzve janë varfëruar në kohën e pandemisë, shumë pak njerëz janë pasuruar”, u shpreh znj. Luarasi.
“Shqiptarët nuk mund të kenë shpresa të mëdha për financat në mandatin e tretë të një qeverie, tha Iris Luarasi, gjë që u kundërshtua nga politologu Adri Nurellari.
Z. Nurellari tha se demokracia është instrument i llogaridhënies, ku partitë që performojnë mirë sa i përket ekonomisë, shpërblehen me votë dhe anasjelltas.
Ai argumentoi më tej se ka vende si Gjermania ku ka pasur vazhdimësi mandatesh nga e njëjta parti, pikërisht sepse populli ka njohur rritje të mëdha ekonomike.
“Pika kryesore e mandatit të tretë është që të shpërblehet një qeveri që ka funksionuar mirë. Shqipëria bën një divergjencë”, tha z. Nurrellari.
Mirëpo për pedagogen Luarasi arsyeja pse Partia Socialiste në vend mori mandatin e tretë është sepse “nuk kishte opozitë”.