Kryeministri Edi Rama bashkë me anëtarët e tjerë të kabinetit do të betohen te Presidenti Ilir Meta. Ashtu siç ishte parashikuar, ceremonia e betimit nisi në orën 10:00.
Mësohet se Edi Rama dhe ministrat u mblodhën si fillim në kryeministri. Më pas eskorta e kryeministrit Rama shkoi në Presidencë, ku pritet që të nisë dhe ceremonia. Ndërkohë që në Presidence kanë mbërritur edhe ministrat.
Qeveria “Rama 3” do të përbëhet nga 12 gra e 5 burra bashkë me kryeministrin, ndërsa shkon sot të betohet te një President që ka marrë ‘vulën’ e shkarkimit nga Kuvendi i vjetër, por jo nga Gjykata Kushtetuese.
Ishte mazhoranca e PS që inicioi shkarkimin e Metës me pretendimin se kishte ndikuar dhe ndërhyrë në zgjedhjet e 25 prillit duke dalë nga statura e Presidentit. Gjithsesi Meta e ka dhënë një sinjal dakordësie me qeverinë e re pasi ka emëruar dekretimin e të gjithë anëtarëve të rinj të kabinetit Rama, nga kryeministri tek ministrat që vijojnë. Kujtojmë se dje kryeministri Edi Rama dhe ministrat e qeverisë së re u miratuan dje në Kuvend me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim.
QEVERIA E RE
1) Zoti Edi Rama- Kryeministër;
2) Zoti Arben Ahmetaj – Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave;
3) Zonja Olta Xhaçka – Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
4) Zoti Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes;
5) Zoti Bledar Çuçi – Ministër i Brendshëm;
6) Zonja Delina Ibrahimaj- Ministër i Financave dhe Ekonomisë;
7) Zonja Belinda Balluku – Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
8) Zonja Evis Kushi – Ministër i Arsimit dhe Sportit;
9) Zoti Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë;
10) Zonja Elva Margariti – Ministër i Kulturës;
11) Zonja Frida Krifca – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
12) Zonja Ogerta Manastirliu – Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
13) Zonja Mirela Kumbaro Furxhi – Ministër i Turizmit dhe Mjedisit;
14) Zonja Elisa Spiropali – Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
15) Zonja Edona Bilali – Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
16) Zonja Bora Muzhaqi – Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët;
17) Zonja Milva Ekonomi – Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve.