Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se do të krijohet një agjenci për mediat dhe informimin, e cila bazohet në disa modele që janë praktikuar dhe në shtete të tjera të botës.
“Krijimi i agjencisë për mediat dhe informim bazohet në disa modele të suksesshme në Itali, Gjermani e gjetkë që garantojnë transparencën në lidhje me politikat, projektet, apo problematikat që kanë të bëjnë me aktet e Këshillit të ministrave e institucioneve përbërëse të këtij këshilli.
Agjencia siguron njohjen e institucioneve të qeverisjes qendrore me gjithçka lidhet drejtpërdrejtë me publikun dhe qëndrimin e publikut e medias mbi çështje me interes publik.
Një mekanizëm i qëndrueshëm e gjithëpërfshirës, i komunikimit me publikun e mediat në funksion të përgatitjes së qëndrimeve përmes anketimeve të opinionit publik mbi çështje të rëndësisë së veçantë, analizimit të tyre dhe konsultimeve me publikun në funksion të vendimmarrjeve të qeverisë”, tha Rama.