Vrima e ozonit mbi Polin e Jugut tani është më e madhe se Antarktida, pohuan shkencëtarë nga Shërbimi i Monitorimit të Atmosferës Copernicus i Bashkimit Europian.
Ekspertët dhanë alarmin se pasi pësoi një rritje të konsiderueshme javën e kaluar, ajo është tani më e madhe se 75 për qind e vrimave të ozonit të viteve të mëparshme në të njëjtën fazë të sezonit që nga viti 1979 dhe faji sipas tyre, mund të jetë i ndryshimeve klimatike. Shtresa e ozonit, e cila gjendet nga 15 deri në 33 km mbi Tokë shërben si një shtresë mbrojtëse për planetin nga rrezet e forta ultraviolet të diellit.
Ajo përbëhet nga molekula te ozonit të krijuara në mënyrë të natyrshme, por që klorfuorokarbonet i shkatërrojnë. Për këtë arsye, Protokolli i Monrealit i 1987-tës u përpoq t`i ndalonte ato dhe të tjera substance të dëmshme për shtresën aq të nevojshme te ozonit. Por çfarë ndodh nëse kjo shtrese zhduket?
Në atë rast, ekspozimi i madh ndaj rrezeve ultraviolet do të shkaktonte masivisht kancer të lëkurës, katarakte e probleme të sistemit imunitar tek qeniet njerëzore, shkatërrimin e të mbjellave e ndoshta edhe të jetës nënujore. Një situatë e tillë do të kërcënonte jetën e njerëzve, kafshëve e bimëve në planet, thonë ekspertet, e në fund ndoshta, mund edhe ta beje Tokën të pabanueshme.