Misterit të gjetjes së biznesmenit italian, që ishte shpallur i zhdukur 8 muaj më parë në Shqipëri, i shtohen dyshime dhe elementë të tjerë.
Mediat italiane raportuan këtë të shtunë se Davide Pecorelli ka shpëtuar nga mbytja në një gomone në një ishull në afërsi të Livornos.
Që do të thotë se nëse nuk do t’i rrezikohej jeta, 45-vjeçari do të vijonte të ishte në listën e personave të zhdukur, me dyshimin se mund të ishte vrarë për veprimtari të paligjshme.
Dhe në fakt, e vërteta rezultoi krejt ndryshe. Ai kishte dalë nga Shqipëria duke nisur një jetë të re në Toskanë, ku u gjet nga policia italiane në gomonen që rrezikonte të mbytej.
Pecorreli ka njoftuar të parën gruan e tij shqiptare (kanë edhe një fëmijë) që është gjallë dhe kjo e fundit ka bërë publik lajmin. Po ashtu zbulohet se biznesmeni që nga koha që është shpallur i zhdukur, ka qenë i fshehur në këtë ishull dhe është shprehur paraprakisht se “kam qenë me pushime”.
Një histori komplekse që nuk kishte çuar në implikime interesante deri më tani. Por do të jetë e nevojshme të kuptohet pse Davide humbi gjurmët e tij për kaq gjatë dhe pse ai ishte në atë gomone dhe jo në Shqipëri. Hetuesit italianë do të duhet të rindërtojnë atë që i ndodhi Pecorellit që nga fillimi i vitit.
Megjithatë, mediat italiane bëjnë të ditur se hetuesit e çështjes kishin zbuluar më parë shenja të cilat tregonin se ai ishte i gjallë.
Madje kryeprokurori, Raffaele Cantone dhe Zëvendësprokurori Giuseppe Petrazzini, kishin deklaruar se ata kishin dëshminë e një personi, i cili kishte deklaruar se e kishte parë Pecorellin të gjallë.
Me sa duket, biznesmeni italian kishte inskenuar vdekjen e tij tragjike në Pukë, ku kishte djegur makinën, të cilën e kishte marrë me qira dhe në të cilën ishin gjetur disa eshtra.
Të dhënat e fundit për Pecorellin ishin disa mesazhe që ai i kishte shkëmbyer me një mik, me të cilin ai theksonte se gjendej në Shqipëri për të negociuar me bizneset vendase.
Mediat italiane hedhin dyshimin se shkak për këtë inskenim kinematografik, ishin bërë borxhet që kishte Pecorelli në Itali pas falimentimit të bizneseve të tij dhe tashmë synonte që të përfitonte nga siguracionet e jetës.
Gjetja e tij thuajse 8 muaj më vonë, ka sjellë edhe një herë në qendër të vëmendjes një fenomen jo pak të njohur në Itali, në veçanti nga biznesmenët, të cilët duke qenë në prag të falimentimit, synojnë të mashtrojnë përmes “zhdukjes” për të përfituar nga siguracionet.
Por ndonëse fakti që është gjallë përbën një lajm të mirë, për Pecorellin nis një tjetër telash, ai i vënies përballë drejtësisë me akuzën e mashtrimit. Hetimet në Shqipëri për zhdukjen e tij janë pushuar prej kohësh.
Ndërkohë, Davide pritet të mbërrijë sot në Perugia, ku ka kërkuar të flasë me prokurorin për të rrëfyer ç’ka ndodhur. Mbetet të sqarohet pse zhdukja, makina e djegur, kujt i takojnë mbetjet njerëzore të gjetura në automjetin e djegur dhe, mbi të gjitha, arsyeja e këtij inskenimi makabër.
Babai i 4 fëmijëve, Pecorelli, ishte zhdukur në Pukë, 8 muaj më parë, ku kishte ardhur për një udhëtim pune. Në atë kohë është raportuar se 45-vjeçari kishte vizituar Shqipërinë, pasi po shihte mundësinë për të zgjeruar biznesin e tij.
Makina e tij u gjet e djegur në një rrugë jo shumë të frekuentuar. Në mjet u gjetën disa sende personale dhe kocka, që kurrë nuk u vërtetuan që ishin të tij.(SI)