Prokurori i Tiranës, Dritan Gina, i ka ditët e numëruara në Drejtësi. Burime të sigurta konfirmojnë se Komisioni i Vetingut ka nisur të hartojë vendimin e shkarkimit nga detyra të Dritan Ginës si i korruptuar dhe matrapaz, për pasuri të paligjshme, mashtrim me pasurinë, veprime të paligjshme juridike dhe manovra për të sabotuar përballjen e tij me Vetingun.
Edhe pse pjesa e dytë e seancës dëgjimore me Ginën do të zhvillohet në datë 25 shtator, trupa gjykuese nuk ka as dyshimin më të vogël se Gina duhet të shkarkohet sa më parë nga detyra, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e një kallëzimi penal në prokurori ndaj tij.
Pjesa e dytë e seancës së 25 shtatorit do të zhvillohet edhe nëse Gina dhe avokati i tij Eno Bushi do të shtiren për herë të tretë sikur janë sëmurë, ndërsa vendimi i shkarkimit do të publikohet brenda muajt shtator.
U desh ndërhyrja e përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund skemës së avokatit famëkeq Eno Bushi, për të shtyrë në kohë leximin e dosjes së Dritan Ginës dhe mundësisht për ta shpëtuar nga shkarkimi.
Për dy muaj me radhë, që nga mesi i muajit korrik, Gina dhe Bushi sabotuan të gjitha seancat dëgjimore të planifikuara nga Komisioni i Vetingut, herë duke paraqitur raporte mjekësore false sikur ishin sëmurë, herë me kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues dhe herë më manovra nga më të ndryshmet procedurale.
Si përfundim, Komisioni i Vetingut caktoi datën 15 shtator 2021, për zhvillimin e seancës dëgjimore.
Gina dhe Eno Bushi tentuan ta sabotonin edhe këtë seancë dëgjimore, duke paraqitur tre kërkesa të tjera procedurale. Ata synonin të shtynin me çdo kusht seancën, pasi zhvillimi i seancës dëgjimore i hap rrugë vendimit të shkarkimit.
Në kushtet kur trupa gjykuese u gjend edhe një herë në vështirësi, ndërhyri vëzhguesi ndërkombëtar Ferdinando Buatier, përfaqësues i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Vetingut, i cili kërkoi t’i jepjej fund kësaj loje. Buatier i konsideroi të pakuptimta këto procedura dhe tendencën për të shtyrë vazhdimisht seancën për leximin e dosjes së hetimit.
Pavarësisht kundërshtimit të Ginës dhe Bushit, Komisioni i Vetingut nisi të lexonte dosjen. Në dosje, rezultoi se shërbimet sekrete e kishin skeduar Dritan Dinën si një personazh të korruptuar dhe që bënte pazare në prokurori me dosjet hetimore. SHISH kishte dërguar në Komisionin e Vetingut një raport të zi për veprimtarinë e Dritan Ginës. Nga ana tjetër, nga hetimi ishte zbuluar se Dritan Gina nuk justifikonte pasurinë me para të ligjshme dhe se kishte mashtruar me deklarimin e pasurisë. Meqenëse seanca zgjati mbi 5 orë, Komisioni i Vetingut vendosi ta zhvillonte pjesën tjetër në 25 shtator 2021./Pamfleti