Padyshim që të gjitha përpjekjet që po bëhen për Ballkanin, ku Shqipëria ka marrë rolin kryesor të diskutimeve për krizën në dukje ideologjike, duke zënë vend në “korridorin” e bisedimeve Kosovë-Shqipëri-Serbi, nuk janë gjë tjetër veçse një projekt për shuarjen e konflikteve që shkaktojnë prapambetje ekonomike, se sa atë kulturore.
Shqipëria e pozicionuar gjithmonë e më afër Serbisë, për sa i përket bashkëpunimit ekonomik me vendet e rajonit, i cili nis prej prodhimeve industriale, energjisë, deri tek paketat e përbashkëta turistike, etj, ka një mundësi të artë të akorduar nga Evropa, për të qenë ambasadore “e paqes” ekonomike në rajon, e kërcënuar nga sindromi i përplasjes kulturore apo historike midis vendeve, sigurisht sindrom i pompuar më shumë mediatikisht, apo segment të ndryshëm antikombëtarë.
Për ata të cilët e kanë të paqartë, kjo është një rrugë pa kthim! Mjafton të ndiqni artikulimin e deklaratave të kryeministrit Rama, se: “Kosova” e lë Serbinë jashtë BE-së”, për të kuptuar se bashkëpunimi ekonomik midis vendeve të rajonit, për Evropën është më i rëndësishëm se përplasja ideologjike midis një grupi individësh të fiksuar nga superioriteti i kulturës së tyre apo dhe inferioriteti i fuqisë së tyre, krahasuar me popujt e tjerë.
Pyetja e gazetarit, nëse Rama e sheh Serbinë para Shqipërisë si anëtare të BE, kryeministri, me përgjegjesinë e përfaqësuesit diplomatik të shqiptarëve, nuk e fsheh ngazëllimin që i lexohet përmes të folurit të “trupit”, se ndoshta e dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër atë, pasi një hap i tillë i Serbisë, do të thotë pranim dhe njohje të Kosovës, që padyshim do jetë fitorja më e madhe e shqiptarëve, dhe një arsye e rëndësishëm, për një rajon më harmonik dhe të qetë, i cili do t’i vendos konfliktet ideologjike… të varura nëpër fotografi të zverdhura në faqen e një muri!/Ekskluzive.al