Nga Durim Madhi
Në tentativë për të artikuluar ndonjë qëndrim politik, deputeti i PD Flamur Noka ka postuar një status në Facebook, ku bën një lidhje arbitrare, jologjike, mes qeverisjes Rama dhe atentateve me lëndë eksplozive të shënuara gjatë këtij janari. Eshtë e vërtetë se rasti i shpërthimit në Shkodër është mjaft frikësues dhe me pasoja, pasi u plagosën disa persona. Por, nga ana tjetër është e arsyeshme të thuhet se një atentat i tillë s’mund t’i atribuohet kurrsesi një qeverisjeje apo masave policore.
Atentatet, si të tilla, janë vështirësisht të parashikueshëm apo të parandalueshëm. Prandaj si rregull vëmendja përqendrohet te pasojat e më tej te zbulimi, rrjedhimisht kapja e autorëve. Për atentatet nuk mund të shahet dhe as të marrë meritat, asnjë lloj policie apo qeverisjeje.
Mjafton të kujtojmë këtu rastin e paprecedentë të vrasjes së gjyqtarit Konomi.
Por “gjeniu” Noka, në tentativë për të treguar që është gjallë “politikisht”, kopjon shpejt e shpejt një shkrim nga një portal pranë PD-së dhe, duke e transformuar atë, e publikon si qëndrim politik të vetin! Kjo “plagjiaturë” politike është lehtësisht e vërtetueshme.
Ja çfarë thotë Noka në status: “11 goditje ndaj jetes dhe ndaj prones me eksploziv vetem kete muaj.” Kaq. Vetëm një shifër, sikur kemi të bëjmë me një ekip futbolli. Nuk jep asnjë të dhënë tjetër. Edhe kjo shifër, 11–ta – është marrë nga portali, i cili në shkrimin e vet publikon vetëm 9 (nëntë) ngjarje.
Më pak fjalë, “politikani” dhe deputeti Flamur Noka e merr të gatshme këtë të dhënë, dhe e publikon si të veten duke e komentuar gjithë pathos politik. Nëse do të bënte vaki që dikush ta pyeste: – m’i cito të lutem 11 rastet, me siguri Noka nuk do të përgjigjej dot, ose do të fliste aq sa mund të flasë peshku, kur hap gojën!
Dhe pikërisht ky brejtës i rëndomtë i komenteve të medias, është një nga “liderët” e politikës së PD-së çka tregon nivelin që ka kjo forcë politike. Në fakt Noka është thjesht një brac që bubërron për lajme në media dhe i poston më pas në Facebook si të qëndrime të vetat.
Pastë dorën e mbarë!