Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar që t’i jepet fund “privatizimit” të hemodializës nga Spitali Amerikan.
Autoriteti i Konkurrencës ka kryer një hetim, të cilin e mbylli zyrtarisht në muajin shtator, në të cilin është bërë një hetim i përgjithshëm në tregun e shërbimeve spitalore në Shqipëri.
Ky hetim është përqendruar më shumë në analizën e paketave të shërbimeve spitalore që financon Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor. Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), që të sigurojë shpërndare në mënyrë të drejtë të paketave të shërbimeve, të parashikuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit 2014, duke i vendosur të gjithë spitalet jopublike në treg në kushte të favorshme konkurruese.
Sipas VKM-së, FSDKSH financon shpenzimet për disa paketa, të ofruara në shërbimin spitalor, ku përfshihet paketa e shërbimit të dializës, paketa e shërbimeve të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, paketa e shërbimeve të transplantit të veshkave, paketa e shërbimit të implantit koklear dhe paketa e trajtimit të kataraktës. Mes paketave të financuara nga FSDKSH, më e rëndësishmja është ajo e dializës.
Duke vlerësuar strukturën e tregut, AK ka arritur në konkluzionin se Spitali Amerikan dhe Spitali Internacional zotërojnë pozitë dominuese në tregun e shërbimit të dializës. Sipas analizës së Autoritetit të Konkurrencës, tregu i shërbimit të dializës ka një përqendrim të lartë duke i dhënë karakteristikat e një tregu oligopolistik.
Nga struktura e tregut, konstatohet se shërbimi i dializës po zhvendoset drejt spitaleve jopublike dhe shoqërisë koncesionare ndërkohë që në spitalet publike shërbimi ofrohet vetëm pranë QSUT-së, e cila mbulon vetëm një pjesë të vogël të kërkesës.
Tarifat për shërbimin e hemodializës
Ndërkohë, sipas hetimit mbështetur mbi informacion e depozituar nga Fondi, shërbimi i dializës ofrohet nga spitalet publike dhe jopublike nëpërmjet paketave të rimbursuara nga Fondi dhe nga shoqëria DiaVita, si mbajtëse e kontratës së koncesionit, e cila duhet të mbulojë me shërbimin dializës të sëmurët në disa rrethe.
Ofruesit më të mëdhenj të këtyre shërbimeve, janë Spitali Amerikan dhe Spitali Internacional, që zotërohet po nga Spitali Amerikan dhe kompania DiaVita, si zbatuese e kontratës së koncesionit të dializës. Për shërbimin e dializës, aplikohen dy tarifa, përkatësisht me 11.203 lekë/pa TVSH për çdo seancë të ofruar nga koncesionari DiaVita dhe 12,106 lekë/pa TVSH për çdo seancë të ofruar nga spitalet private dhe publike.
Sipas AK, për dhënien e shërbimit të dializës, ka pengesa në hyrje për shkak të nevojave për investime fillestare, sigurim të stafit mjekësor dhe ndihmësmjek dhe ambienteve akomoduese për dhënien e shërbimit. Pjesa e madhe e tregut që zotërojnë Spitali Internacional dhe Amerikan shërben si tregues për ekzistencën e barrierave për hyrje dhe zgjerim në këtë treg.