Amerika duket e vendosur për të pastruar politikën nga të korruptuarit. Shpallja “non grata” e Berishës dhe përjashtimi i tij nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ishte një sinjal i fortë nga SHBA. Por duket se amerikanët tani e kanë drejtuar gishtin nga mazhoranca.
Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim zhvilloi një takim me zv/kryeministrin Arben Ahmetaj ku u shpreh se udhëheqësit e vendit duhet të heqin dorë nga zakonet e këqija të së kaluarës. Ambasadorja tha se ndryshimet janë të vështira, por të nevojshme për të patur një brez me të ardhme më të mirë. Ajo që ra në sy ishte se në fjalën e saj Kim përdori ndaj mazhorancës të njëjtën gjuhë që përdori edhe me opozitën.
“30 vjet nga përfundimi i diktaturës komuniste, udhëheqësit e Shqipërisë nga të gjitha krahët duhet të shfrytëzojnë mundësinë për t’i ndalur zakonet e këqija të së kaluarës, për të bërë ndryshime të vështira, por të nevojshme, në mënyrë që brezi i ardhshëm të ketë një të ardhme më të mirë. Nëse jo tani, kur? SHBA do të vazhdojnë të jenë me ju në mbështetje të plotë”, u shpreh Kim. Ajo tha se SHBA është tej mase serioze sa i përket luftës kundër korrupsionit pasi cenon interesin kombëtar.
Kim theksoi dëshirën e SHBA për të forcuar bashkëpunimin me vendin tonë teksa i bëri thirrje qeverisë të marrë masa të vërteta në mënyrë që vendi të forcohet më shumë e të ketë më shumë prosperitet. “U takova me Zv. Kryeministrin e ri Arben Ahmetaj për të theksuar dëshirën e SHBA për bashkëpunim të fortë në demokraci, mbrojtje & biznes. Nënvizova gjithashtu se SHBA janë jashtëzakonisht shumë serioze mbi korrupsionin si pjesë e interesit tonë kombëtar. Ne nxisim qeverinë që të marrë masa të vërteta, në mënyrë që Shqipëria të jetë më e drejtë, më e fortë dhe më e pasur”, tha ajo.
Kim tregon prioritetet kryesore të SHBA
Nga ana tjetër ambasadorja pasditen e djeshme ishte e pranishme në ceremoninë e mbajtur nga Dhoma e Tregtisë. Në fjalën e saj ajo u shpreh se prioritetet kryesore të SHBA-së janë demokracia, zbatimi i reformës në drejtësi si dhe klima e biznesit.
Kim u shpreh se ka mbetur shumë punë për t’u bërë teksa i bëri thirrje qeverisë t’i japë përparësi klimës së biznesit, të çojë deri në fund reformën në drejtësi si dhe ta vendosë prioritet konkurrencën e ndershme sa u përket investimeve. Sipas saj, duke parë rrugëtimin këto 30 vite e ardhmja duket më e ndritur. “Prioritetet tona janë mbrojtja, biznesi dhe demokracia.
Mbetet ende shumë punë për të bërë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që t’i japë përparësi klimës së biznesit. Reforma në drejtësi duhet çuar deri në fund, e konkurrenca e ndershme duhet të jetë parësore që të gjithë investitorët të luajnë me të njëjtat rregulla të drejta dhe transparence. Jam e kënaqur që kryeministri e ka parë këtë si mundësi për të përmirësuar klimën e biznesit. Gjatë 30 viteve të fundit kemi bërë rrugë të gjatë, por kur shohim atë që ka ndodhur them se e ardhmja do të jetë më e ndritur”, u shpreh Kim.