Në kulmin e përplasjeve me amerikanët, drejtësia e re ka në dorë shumë dosje të bujshme të ndodhur gjatë kohës kur në pushtet ka qenë Sali Berisha.
Ky i fundit pretendon dhe këmbëngul fort se nuk ka asnjë padi ndaj tij në organet e drejtësisë shqiptare apo gjetkë, ndërkohë që zhvillimet e fundit tregojnë se po lëkunden pozitat e ish-kryeministrit Berisha. Gazeta i ka bërë një analizë situatës dhe rezulton se janë plot katër ngjarje të bujshme që implikojnë indirekt ose jo ish-kryeministrin Sali Berisha.
E para është çështja e “Gërdecit”, të cilën Apeli i Gjykatës së Posaçme e ktheu për rigjykim dosjen në ngarkim në ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me shpërthimin e ndodhur në Gërdec në vitin 2008, ku humbën jetën 26 persona, ndërsa mbetën mbi 300 të plagosur dhe qindra shtëpi dhe ndërtesa të rrafshuara.
Por duke qenë se kjo çështje ka shkuar në SPAK për rihetim dhe ka ndodhur në kohën kur kryeministër i Shqipërisë ka qenë Sali Berisha, mund të ndodhë që hetimet të shtrihen deri tek ish-kryeministri demokrat. Po ashtu, një tjetër çështje që mund të lëkundë pozitat e Berishës është dosja e “21 Janarit”, pasi Prokuroria e Tiranës ka rihapur çështjen për vrasjen e Aleks Nikës me datë 21 janar 2011 në qendër të Tiranës gjatë protestës së opozitës së atëhershme.
Nga ana tjetër edhe Aishe Haklaj, motra e vëllezërve Haklaj të vrarë shumë vite më parë, në korrik të këtij viti bëri me dije se kishte vendosur të padisë në SPAK, ish-kryeministrin Sali Berisha. Mirëpo, tre çështjet e sipërpërmendura nuk janë të vetmet që mund të bëjnë me dhimbje koke ish-kryeministrin Sali Berisha. Të shtunë në Radio Televizionin Shqiptar në emisionin “Dosje të hapura”, foli djali i biznesmenit Remzi Hoxha.
Ky i fundit u ekzekutua më 21 tetor të vitit 1995 ndërkohë që trupi i tij u zhduk nga Shërbimi Informativ Kombëtar. Familjarët e tij mendojnë se vrasja e tij u bë me urdhër të kryeministrit Sali Berisha, ndërsa djali i tij për RTSH paralajmëroi se do t’i drejtohet me një padi SPAK për këtë çështje. Pra, nëse hetimet për këtë çështje do të zgjerohen dhe thellohen, mund të përfshihet edhe Berisha, duke bërë që pozita e tij të lëkundet.