Ndryshimet më të fundit në radhët e policisë duket se i ngjajnë më shumë një riciklimi dhe zhvendosje sesa furtunë në radhët e forcave të vendit.
Drejtori i Policisë, Gledis Nano doli dje në një konferencë për mediat duke njoftuar ndryshimin e drejtorëve në 11 qarqe, por nga një analizë e thjeshtë rezulton se janë të njëjtët emra që qarkullojnë që prej vitit 2013. Lorenc Panganika u vendos Drejtor i Policisë së Tiranës. Por kush është ai?
I lindur në Korçë me 24.06.1972, ka qenë më herët edhe drejtor policie në qarkun e Beratit. Me emërimin e Ardi Veliut, në krye të Policisë së Shtetit, në vitin 2018, Lorenc Panganika u largua nga drejtimi i Policisë së Gjirokastrës, të cilën e drejtonte që prej vitit 2017, pas ikjes së Aranit Arapit. Gjatë kohës që ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri, ai u emra drejtor në Shkodër. Lorenc Panganika, zëvendësoi në Policinë e Shkodrës, Shaban Nexhin, në shkurt të vitit 2015.
Pra duket se ai thjesht ka ndërruar postet në këto vite. Nga Shkodra në Gjirokastër, Berat dhe në Tiranë. Hamdi Fiora u emërua drejtor në Shkodër. Deri në korrik ai ishte Zv.drejtor i DVP Korçë dhe në verë u transferua dhe emërua Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës. Më herët ka qenë ish-Drejtor i komanduar i Policisë së Tiranë, ish-Drejtor i Forcave Speciale, ka qenë edhe shef i Shtabit të Repartit RENEA dhe Drejtor policie në Gjirokastër e Elbasan. Gentian Berberi do drejtojë Policinë e Vlorës. Deri tani ka qenë nëndrejtor i komanduar në këtë qytet. Më herët ka qenë shefi i Krimeve të Rënda në Shkodër.
Riciklimi i drejtorëve
Ardian Çipa u emërua drejtor në Elbasan. Në kohën e Saimir Tahirit ai u emërua Drejtor i Policisë së Tiranës dhe ka pasur disa funksione drejtuese. Në 2017 ai u shkarkua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda. Më pas u emërua në Akademinë e Sigurisë, post që mbajti deri në Korrik ku u transferua si drejtor në Policinë e Korçës.
Alfred Çepe ka kaluar në Fier. Deri në 2019 ai ishte drejtor në Durrës, por kur u kapën 137 kilogramë kokainë u shkarkua nga detyra. Tani është rikthyer në funksion. Gjovalin Loka ka kaluar në Korçë. Ai ka qenë drejtues në shumë qarqe. Së fundmi ishte në Shkodër më pas kaloi Drejtor i Sigurisë Publike dhe në korrik u emërua në Elbasan. Edhe Loka ka shërbyer në poste drejtuese që në kohën e Tahirit.
Neritan Nallbati u emërua në Durrës. Ai ishte drejtor në Berat dhe në korrik u emërua Drejtor i Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Edhe ai i përket periudhës “Tahiri”. Edmond Sulaj u emërua në Kukës, ka qenë zv/drejtori i Antiterrorit dhe zv/drejtor në Elbasan. Bledar Çeliku emërohet në Gjirokastër, ka qenë drejtor në Fier, ndërsa në korrik kaloi në Vlorë. Në kohën e Tahirit ishte zëvendësdrejtor për hetimin e krimeve dhe sigurinë në Shkodër. Oltion Bistri ka kaluar në Lezhë.
Deri në korrik ishte shefi i Komisariatit të Policisë Nr.2 në Tiranë dhe më pas u emërua Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. I fundit është Skënder Hitaj, që është emëruar në Dibër. Ai ka qenë zëvendësdrejtor i Policisë Lezhe dhe në Elbasan, më pas mbajti postin e zv/drejtorit të krimit në Shkodër dhe më pas në Gjirokastër. Me këto ndryshime prite që të kemi ndryshime në nivele komisariatesh. Drejtorët e rinj pritet të lëvizin pjesën dërrmuese të shefave të komisariateve në të gjithë territorin.