Byroja Federale Investigative amerikane po kryen “veprimtari të zbatimit të ligjit” në shtëpinë e oligarkut rus Oleg Deripaska, një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas të dhënave të deritanishme aktiviteti është i lidhur me një hetim federal jashtë Nju Jorkut. Detaje të tjera nuk janë bërë të ditura.
Policët rrethuan rrugën rreth shtëpisë në Uashington DC. duke shënuar “vend i krimit mos hyni”. Një agjent i FBI ruante rrugën, dhe disa agjentë të tjerë u panë duke hyrë dhe dalë nga shtëpia e madhe në lagjen Kalorama të Uashingtonit.
Oligarkut rus iu vendosën sanksione nga SHBA në vitin 2018 si përgjigje ndaj ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane të 2016-ës.
Deklarata e Departamentit të Thesarit që njofton sanksionet tha se ai ishte hetuar për “pastrim parash dhe ishte akuzuar për kërcënimin e jetës së rivalëve të biznesit, përgjimin e paligjshëm të një zyrtari qeveritar dhe pjesëmarrjen në zhvatje dhe mashtrime”.
Në fillim të këtij viti, Deripaska humbi një proces gjyqësor për heqjen e sanksioneve.