Qeveria ditën e djeshme mori vendimin për miratimin e projektbuxhetit 2022 teksa prezantoi një sërë politikash të reja dhe programe që do të hyjnë në fuqi gjatë vitit që vjen.
Ministrat pas mbledhjes së qeverisë deklaruan se do të ketë rritje pagash për mjekët, infermierët, mësuesit dhe gardianët. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi në fjalën e saj njoftoi se mësuesve do t’u rritet paga me 6% vitin e ardhshëm teksa deklaroi se do të ketë rritje pagash edhe për punonjësit psiko-socialë në shkolla. Kushi tha se edhe arsimi i lartë s’do të ngelet pas pasi parashikohet ndërkombëtarizimi i universiteteve.
Sipas saj, këtë herë projektet për universitetet do të kenë një buxhet të dedikuar posaçërisht për t’i mbështetur. “Do të bëhet rritja e pagave vitin e ardhshëm me 6% për mësuesit në të gjithë vendin. Këtë herë ky është hapi i parë për premtimin e dhënë që brenda këtij mandati pagat të rriten në masën 40%. Edhe për punonjësit psiko-socialë në shkolla do të ketë rritje. Janë gjithsej 600 të tillë.
Kontributi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm gjatë kohës së pandemisë. Lajme të mira vijnë edhe për arsimin e lartë. Ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe dhënien e vlerës së vërtetë të diplomave. Këtë herë do kemi edhe një buxhet të dedikuar për të mbështetur këto projekte të universiteteve”, u shpreh ministrja Kushi.
Rritja e pagave në shëndetësi
Ndërkohë qeveria po ashtu ka miratuar rritje pagash edhe për personelin mjekësor. Ishte ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila njoftoi rritje pagash me 6% për mjekët e infermierët teksa u shpreh se në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë është vendosur edhe gjithë buxheti i nevojshëm për të garantuar vaksinat. “Do të ketë një rritje dhe mbështetje përsa u përket pagave për personelin mjekësor.
Ne do të vijojmë me rritjen e pagave dhe në vitin 2022 do të rrisim me 6% të rritjes së pagës për personelin mjek infermier në të gjithë sistemin shëndetësor. Nga ana tjetër, do të garantojmë furnizimin me vaksina duke vendosur në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë të gjithë buxhetin e nevojshëm për të garantuar vaksinat”, tha Manastirliu.
Rritja e pagave për policët
Nuk janë përjashtuar as efektivët e policisë, një pjesë e të cilëve do të përfitojnë benefite financiare. Ishte ministri Bledi Çuçi ai që dha detaje pas mbledhjes. “Lajmi i parë ka të bëjë me rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit që ushtrojnë detyrën e tyre jashtë vendbanimit, rritje që do vijë në formën e bonusit dhe që do e çojë deri në 150% pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit që ushtrojnë detyrën jashtë vendbanimit. Lajmi i dytë është rritja e konsiderueshme e investimeve që do bëjmë në Policinë e Shtetit në infrastrukturën dixhitale dhe në teknologji. Kjo do të mundësojë rritjen e efikasitetit të luftës kundër krimit”, deklaroi Çuçi.
Rritje pagash për punonjësit e policisë së burgjeve
Nga ana tjetër qeveria parashikon rritje edhe për punonjësit e policisë së burgjeve. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në fjalën e tij u shpreh se pagat do të rriten duke i barazuar për gradë dhe për funksion me punonjësit e Policisë së Shtetit. “Do rriten pagat për punonjësit e policisë së burgjeve duke i barazuar për gradë dhe për funksion me punonjësit e Policisë së Shtetit.
Lajmi i dytë i mirë ka të bëjë me suksesin e luftës kundër korrupsionit. Para dy ditësh miratuam krijimin e drejtorisë anti-korrupsion. Sot me këtë buxhet për të ruajtur integritetin e kësaj strukture, njësia përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë do të ketë një trajtim financiar për të mos u tunduar nga korrupsioni me qëllim luftën frontale ndaj korrupsionit”, tha ai.