Ashtu siç e kishte paralajmëruar, ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi ditën e djeshme “Foltoren” e radhës, teksa u ndal në qytetin e Beratit.
Por ajo që ra në sy në këtë takim ishte fakti se “Foltorja” e ish-kryeministrit Berisha ishte braktisur nga 2 deputetët demokratë të këtij qarku, Tomor Alizoti dhe Kasëm Mahmutaj, ndërkohë që në këtë takim nuk është vënë re edhe prania e asnjë prej krerëve të degëve të bashkive që bëjnë pjesë në Qarkun e Beratit.
Në takimin e djeshëm, të pranishëm ishin vetëm ish-presidenti Bujar Nishani, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, si dhe ish-deputetët Klevis Balliu, Astrit Veliaj dhe Genc Pollo, ndërsa ish-kryeministri bëri thirrje për bashkim. “Jam midis jush me qëllimin më kryesor të ringremë së bashku PD-në të bashkojmë PD-në”, deklaroi ai.
Ish-kreu i PD sulmon vetingun në politikë
Por nga Berati, ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar edhe propozimin e demokratëve për vetingun e politikanëve. Ai e akuzoi Bashën si skllav të kryeministrit që propozon Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që sipas tij është e kapur nga Edi Rama, për të vendosur mbi mandatet e deputetëve.
“Në 30 vite histori legjislacioni në këtë vend akti më i turpshëm që kalon çdo imagjinatë të një njeriu të lirë është amendamenti që dërgon Edi Rama nëpërmjet tij (Bashës) në Parlament, që SPAK-u të bëjë vetingun e deputetëve. Ne bëmë një ligj që Komisioni i Venecias e përmbysi. Vetingu i politikanëve bëhet në mënyrë transparente, shton formularin e deputetëve të gjitha problemet, dorëzojnë formularin, krijo komisionin e Etikës pranë Parlamentit. Nuk dorëzohet legjislativi te prokuroria politike.
Për prokurorinë ne në 2018 hoqëm imunitetin për korrupsionin, kemi një ligj antimafia të shkëlqyer, i kemi të gjitha mekanizmat. Se si mundet një forcë politike që e quan veten demokratike të propozojë që të vendosë SPAK i Edi Ramës për mandatet e deputetëve, duhet të jesh super skllav i Ramës që të bësh një propozim të tillë”, u shpreh ai.
Berisha bën thirrje për protesta të fuqishme
Më tej gjatë takimit të tij me mbështetësit demokratë të qytetit të Beratit, ish-kryeministri Sali Berisha theksoi se qëllimi i tij përmes “Foltoreve” është të rikthejë Partinë Demokratike aty ku e ka vendin. Ndërkohë Berisha paralajmëroi protesta të fuqishme, si asnjëherë më parë, me qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama dhe rikthimin e PD si forcë kryesore në vend. “Nuk është vonë të mbrosh për atë që beson. Jam midis jush, me qëllimin kryesor që të ringrejmë së bashku PD, në idealet dhe fuqinë e saj.
Ti rikthejmë asaj votën, besimin te vetja. Ta përgatisim atë në një betejë dhëmbë për dhëmbë me Edi Ramën. Atyre që u dhunohet vota, ata kanë protestën dhe vetëm protestën, ndaj jam dhe këtu te ju me besim të plotë, te çdo demokrat, që të përgatiten për protesta që Shqipëria kurrë nuk i ka parë. Nuk meritojmë ne të jemi votëshkelur, vullnet vjedhur, ne do të bëhemi qytetar të lirë.
Tani për tani, Edi Rama ka marrë peng Bashën, i cili pasi u zgjodh, harroi çdo interes tuaj, e ka kap një frikë dhe tmerr nga ju, nuk takon asnjeri prej jush. E përkundrazi, paraqet takimet dhe mbledhjet tona si anti-amerikane, ku këto janë pro-amerikane e të tilla do të mbetet”, nënvizoi Berisha. /Rigels Seliman