Partia Socialiste ka rihapur debatin për strukturën e mbrojtjes së votës. Në Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, Partia Socialiste ka kërkuar informacion për funksionimin gjatë zgjedhjeve të strukturës së armatosur për mbrojtjen e votës në Partinë Demokratike.
Në dy kërkesa, Partia Socialiste i drejton 17 pyetje liderit të opozitës Lulzim Basha dhe 10 të tjera Policisë së Shtetit, për themelimin, funksionimin dhe ringritjen e kësaj strukture. Ka qenë nënkryetari i këtij komisioni, Toni Gogu, i cili ka shtruar të gjitha pyetjet, ku edhe ka ngritur dyshime nëse ekziston mundësia që kjo strukturë e armatosur të jetë ende aktive.
“Kërkesë për Lulzim Bashën, kërkojmë informacion të detajuar, kur është themeluar struktura e mbrojtjes së votës, me çfarë platforme, akti që e ka themeluar strukturën në fjalë, si janë organizuar nga qendra e partisë deri në njësinë bazë, cila ka qenë skema organizative e kësaj strukture, si është financuar, mbi cilat kritere është bërë rekrutimi, sa ka qenë numri i anëtarëve, cilët kanë qenë drejtuesit, lista e anëtarësisë, veprimtaria e tyre dhe e secilit anëtar, a ka pasur përpjekje nga drejtuesit për korrigjimin e akteve të kundraligjshme, a ekziston sot, kjo strukturë, nëse jo a ka skema të ngjashme që parashikojnë rithirrjen e kësaj strukture”, tha ai.
Në kërkesën e dytë të Partisë Socialiste Gogu tha se PS kërkon nga Policia e Shtetit informacion nëse kjo e fundit ka qenë në dijeni të strukturës së mbrojtjes së votës. “Kërkesa e dytë për Policinë e Shtetit. A ka qenë në dijeni Policia e Shtetit për këtë strukturë, cila ngjarje për krime zgjedhore janë kallëzuar nga kjo strukturë, në sa ngjarje rezulton e përfshirë struktura e mbrojtjes së votës, në cilat qarqe kanë ndodhur, a ka pasur bashkëpunim të kësaj strukture me Policinë e Shtetit, po denoncime”, tha ai.
Përplasjet në komision
Ndërkohë, mbledhja e Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, u shoqërua me debate mes deputetëve të PS dhe PD. Ishte deputeti i PD Ervin Salianji që u përplas me deputeten socialiste Blerina Gjylameti. Debati mes tyre nisi për etikën, ku deputetja Gjylameti bëri thirrje që Salianji të ruajë etikën, pasi në fjalën e tij, sipas saj e tejkaloi atë.
“Që në krye të herës keni qenë personi që na keni bërë thirrje për të ruajtur etikën, besoj që Salianji në rastin konkret i tejkaloi të gjitha. Nëse dikush përdor tonalitet të caktuar tek shprehet për kërkesën është çështje vetjake”, tha ajo.
Ndërkohë, Salianji teksa foli për hetimin e zgjedhjeve u shpreh se ashtu si PS edhe PD ka kërkesa. “Pavarësisht ilaritetit dhe situatave që krijohen, jo çdo budallëk duhet t’i japim solemnitet të madh. Nëse do të hapim kërkesat për informacion tek partitë politike edhe ne do të kemi kërkesat tona pastaj sidomos aty ku është dyshimi ynë më i madh se është kryer vepra penale shpërdorimi dhe vjedhjes së i zgjedhjeve”, tha ai.