Kryeministri Edi Rama i ka shtrirë sërish dorën e bashkëpunimit kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndryshe nga sa deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri që propozimi i Bashës për të futur politikën në veting është një proces që nuk iu intereson qytetarët, kryeministri Rama ka deklaruar dje në një intervistë për “Report TV” se është i gatshëm për bashkëpunim pa asnjë kusht me shefin e selisë blu, ndonëse ky i fundit pak ditë më parë e sulmoi nga foltorja e Kuvendit, teksa e cilësoi atë, Metën dhe Berishën si “Trekëndëshi i Bermudës”.
Rama i hapi rrugën pastrimit të politikës nga të korruptuarit përmes vetingut të propozuar nga PD. “Sepse duhet të kishim dakordësi të plotë me të gjithë,se nuk ishte në axhendën e ditës e shtruar me partnerët, çdo gjë që bëhet për reformën në Drejtësi nuk e bëjmë ne me PD, por ne me PD, herë po herë jo dhe SHBA-BE. Nëse ata thonë jo, nuk u vendosë askush litarin në fyt.
Dua që ne me opozitën t’i diskutojmë të gjitha gjërat që opozita dëshiron t’i diskutojnë me ne, prandaj nëse “po” dhe “jo” i bëjmë nga Tv, nuk kemi ndryshuar asgjë. Ne duam të dëgjojmë argumentet, do japim argumentet tona dhe jemi shumë të hapur sepse mbase na bindin”, deklaroi ai.
Po ashtu, zoti Rama theksoi se i qëndron deklaratës që ka thënë se në mandatin e tretë do bashkëpunojë me opozitën. “Unë e kam thënë që në fillim të këtij sezoni politik, të mandatit të tretë që jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me opozitën, te të gjitha çështjet pa asnjë paragjykim, jemi gati të bashkëpunojmë”, u shpreh ai.
Rama flet për presidentin e ri dhe thumbon Metën
Më tej i pyetur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta apo përfundimin e mandatit të tij, kryeministri thumboi kreun aktual të shtetit, teksa deklaroi se punën e Presidencës mund të bëjë më mirë një politikane. Madje, shefi i qeverisë paralajmëroi edhe këshillim kombëtar për emrin e presidentit që do pasojë Metën.
“Të jeni i sigurtë që çdo grua që arsyeton dhe që flet shqipen mirë e bën më mirë këtë punë sesa Ilir Meta. Ç’do gjë që të përpiqemi që ta diskutojmë. Përtej opozitës edhe me shqiptarët.
Do të hyjmë në një proces për këshillimin kombëtar. Edhe për presidentin? Ku i dihet mbase”, tha ai. Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka pasur edhe një koment për “Foltoret” e Sali Berishës, teksa deklaroi se nuk e ndjek atë. “Nuk e ndjek dhe as nuk më duhet fare, kryetari i PD është Lulzim Basha dhe jam i detyruar që ta dëgjoj dhe e respektoj.
Kur flet për llumin në PD, ai duhet të kujtojë se ai llum ka nxjerrë atë dhe sot duhet të tregojë, aty që nuk është pjesë e atij llumi, siç thotë ai, duke folur ndryshe, duke komunikuar ndryshe, duke mos përsëritur avazet e Foltores”, zbuloi ai.
Kryeministri kritika Rusisë
Por kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe deklaratat e bërë nga Ministri e Jashtme e Rusisë, teksa kritikoi Moskën zyrtaret për qëndrimit që mban ndaj Shqipërisë. “Sa herë ka diçka në Ballkan ata sulmojnë shqiptarët madje dhe kur deklarata të caktuara deformohen në shtyp, të bëra nga unë apo të tjerë, atëherë MPJ ruse reagon në mënyrë shumë konsekuente sepse muzika në Moskë nuk ndryshon asnjëherë thotë një shprehje e vjetër”, tha ai.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama theksoi se “Ballkani i Hapur” është e ardhmja, ndërsa shprehu bindjen dhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do t’i bashkohen. “Ne kemi nisur me 3 shtete dhe të jeni të sigurtë se të gjithë do i bashkohen Ballkanit të Hapur, është vetëm çështje kohe”, nënvizoi Rama. /Rigels Seliman