Ish-kryeministri Sali Berisha duket se po u trembet zhvillimeve që mund të vijnë nga drejtësia e re. Javët e fundit ai i ka intensifikuar sulmet ndaj reformës dhe ndaj amerikanëve duke shtuar dyshimet se i druhet një procesi hetimor.
Ditën e djeshme me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook ish-kryeministri e quajti reformën në drejtësi, reformën më të kushtueshme dhe më të korruptuar që mund të jetë bërë ndonjëherë.
Berisha tha se reforma në drejtësi është një nga dështimet më të mëdha në historinë e vendit dhe pasojat e këtij dështimi po i paguajnë qytetarët. Sipas tij, vendi kishte nevojë për një reformë jo pseudoreformë nga kryeministri Edi Rama dhe George Soros.
“Reforma e drejtësisë në Shqipëri, reforma më e kushtueshme dhe më e propaganduar në historinë e këtij vendi dhe e korruptuar në çdo etape të saj nuk është gjë tjetër veçse një nga dështimet më të mëdha në historinë jo vetëm të Shqipërisë, por dhe mbarë Europës, është de facto një kalë i ngordhur pasojat e të cilës po i paguajnë dhe do t’i paguajnë mjerisht shumë shtrenjtë qytetarët shqiptarë.
Me këtë nuk dua të mohoj se drejtësia në Shqipëri nuk kishte probleme serioze dhe se ajo nuk duhej reformuar. Por reforma Soros-Rama ishte de facto një pseudoreformë”, tha ai. Ish-kryeministri u shpreh se i vetmi qëllim i reformës në drejtësi është vendosja nën kontroll i gjithë sistemit në duart e Ramës dhe Soros.
Berisha tha se ka një rënie dramatike të besimit të qytetarëve tek drejtësia. Ish-kryeministri po ashtu sulmoi drejtues e ish-drejtues në sistemin e drejtësisë, të cilët i quajti të kapur nga Rama teksa nuk munguan as sulmet ndaj vetingut, të cilin e quajti gjueti shtrigash.“Reforma e drejtësisë e ideuar, iniciuar e projektuar me qëllimin e vetëm vendosjen e drejtësisë nën kontrollin e mikut të George Soros, Edi Rama.
Rënia dramatike e besimit të shqiptarëve në pseudoreformën e Soros- Rama lidhen para se gjithash me kapjen e plotë të drejtësisë nga Edi Rama duke vendosur në krye të saj ish-xhelatë të kohës së diktaturës Sadushë, Dvoranë dhe ish-ministra të PS, kunetër të ministrave. Përdorimin e vetingut Top-Down për gjueti shtrigash dhe me standarde të dy e trefishta për eliminime politike, krahinore, fetare, partiake të prokurorëve, gjykatësve”, tha ai.
Dhëndri mbështet Berishën
Nga ana tjetër në mbrojtje të ish-kryeministrit ka dale edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili e ka quajtur zgjatjen e mandateve të vetingut një çështje politike, e cila është e kapur nga Soros. Ai u shpreh se PD duhet të kthehet tek vlerat e saj pa i shkuar nga pas Soros dhe pazareve dhe duke mos u bërë lolo. Sipas tij, kur bëhesh lolo i Soros ke frike të shkosh në anëtarësi dhe mbledhje forumesh, duke iu referuar kështu kreut demokrat Lulzim Basha.
“Peng-lapangjozët marsh të votojnë për zgjatjen e vetingut, se është “çështje teknike” nuk është politikë. Veç Soros e ka kapur. Pra votoni motrën e Belinda Ballukut se betejën politike nuk e keni me Ballukun, por me ata që luan shah Tomi. PD duhet të kthehet tek vlerat dhe përballja, jo tek lëpirja ndaj Soros, pazaret dhe shantazhimit. Kur bëhesh lolo pastaj është turp të shkosh në anëtarësi dhe nuk pranon as mbledhje forumesh se “po mbron unitetin e partisë””, tha Malltezi.