Në kohën kur Sali Berisha ka thirrur një “Kuvend” të mbështetësve të tij që e konsideron si institucion të Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur duke hapur një garë vote brenda PD-së.
Siç bëhet e ditur nga selia blu. PD ka hapur garën për të zgjedhur kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, sipas parimit “një anëtar, një votë”.
Procesi ka nisur sot, me anë të një udhëzimi të Lulzim Bashës, i cili udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën.
Aktualisht kryetar i FRPD-së është Belind Këlliçi, i cili edhe pse nuk njihet si mbështetës i Bashës, nuk është atashuar si mbështetës i Foltores.
PD, bën të ditur se Kryetari i FRPD-së dhe i forumeve drejtuese kanë mandat 4 vjeçar, ndërsa anëtarët e FRPD-së mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç.
Grupi i posaçëm i punës për zgjedhjet në FRPD përbëhet nga: Oriela Nebiaj, Hergert Alimerko Dario Sejdini, Enkelejda Rica, Juela Hamati dhe Anita Doçi
Ky grup do të mbikqyrë mbarëvajtjen dhe organizimin e procesit të anëtarësimeve, rifreskimit të të dhënave dhe zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe strukturat e Forumit Rinor.
Menjëherë pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve dhe riorganizimit, do të vijohet me zgjedhjen me 1 anëtar, 1 votë të kryetarit dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese të FRPD-së në nivel qendror dhe lokal.
Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015 dhe mandati i kryetarit dhe forumeve drejtuese kanë mbaruar në vitin 2019.
Mirëpo Forumi Rinor i Partisë Demokratike me anë të kryetarit aktual ka dalë me një deklaratë të fortë.
Kryetari Belind Këlliçi ka dalë kundër vendimit të kryedemokratit Lulzim Basha për zgjedhjet e reja për kryetarin dhe anëtarëve të tjerë drejtues të Forumit Rinor.
“Gjykoj që nuk është ky momenti as për t’u uzurpuar FRPD dhe as për të krijuar përçarje më të thellë. Që nga dita e parë që kam shkelur në PD, kam patur një qasje që të mos humb asnjë anëtar, jo më sot ta fusim këtë organizatë në një konflikt me PD-në.
Ne këtë proces nuk e njohim dhe në momentin kur të piqen kushtet, ne kemi detytrim statutor për të patur një grup të ri të Forumit Rinor. Themelet e PD-së janë te FRPD. Jam krenar që në Forumin Rinor ka përplasje mendimesh, por vendimet merren me votë. Nuk e di nëse Sekretari i Përgjithshëm ka ndonjë gjë për të shtuar”, tha Këlliçi ndër të tjera.