Mediat greke vijojnë t’i kushtojnë vëmendjen ngjarjes së rëndë, ku shqiptarja Klodiana Çela, qëlloi me armë ish-burrin e saj, duke e lënë të plagosur rëndë.
Sipas raportimeve, Klodiana Çela ka dhënë dy versione të shkaqeve që e detyruan të kryente aktin kriminal.
Mësohet se ajo ka akuzuar ish partnerin e saj, ku pas një lidhje martesore erdhi në jetë një vajzë që sot është 13 vjeç. Klodiana pretendon se babai i vajzës nuk e ka lejuar që ta takojë.
Ndërkohë një akuzë tjetër e ngritur nga e arrestuara është se gruaja e të plagosurit ishte pjesë e një organizate kriminale dhe i kishin marrë vajzën 13-vjeçare. Ajo i ka kërkuar policisë që të arrestojë gruan e ish të dashurit të saj.
Nga ana tjetër policia po heton se si e kishte siguruar armën Klodiana me të cilën qëlloi dy herë ne bark dhe në gjoks babanë e vajzës. Gjithashtu po hetohet se kush janë bashkëpunëtorët e saj që e kanë ndihmuar që ajo t’i bënte pritë 68-vjeçarit.
Hetimet paraprake tregojnë se shkaku i debatit të madh që pati gruaja nga Shqipëria, e cila pretendon se është artiste, me mjekun okulist, është vogëlushja që atyre u erdhi në jetë 13-vite më parë. Një vendim gjykate i dha të drejtën e kujdestarisë së vajzës babait të saj. Por ky vendim nuk u pranua kurrë nga shqiptarja.