Rreth 60 minuta pas daljes së lajmit se Shkëlzen Berisha është thërritur nga Prokuroria e Tiranës për t’u pyetur lidhur me aferën e privatizimit të OSSH te kompania çeke CEZ, ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë nervoz në Kuvend.
Ai ka kërcënuar deputetët e Partisë Socialiste se protesta e opozitës e 27 janarit do të ‘rrëzojë’ qeverinë.
Berisha pyeti deputetët socialistë se ku do të futen më 27 janar, pasi sipas tij, ata kanë ikur që sot. Ish-kryeministri e tha këtë, teksa u nis nga fakti që në sallë ishin shumë pak të pranishëm, ku shtoi se kanë mbetur një thelë.
“Keni ngelur një thelë këtu, gjithë ministrat të turpëruar nga vetja e tyre, të tmerruar nga super protesta që po afron, largohen nga Parlamenti dhe lënë këtu ikonën e nxirë të mega aferave më të mëdha në historinë e vendit, binjakun e Gjiknurit, Arben Ahmetaj. Ikën deputetët, nuk janë këtu as një e pesta e deputetëve. E thotë Hygo diku “Nuk njihej më as shef, as flamurtar”. Kështu jeni bërë, por çdo të bëni ditën e protestës. Ku do të futeni? Ua thoni shqiptarëve”, deklaroi Berisha.