Gazetari Arian Çani thotë se Ambasada Amerikane është përfshirë më shumë në çështjet e brendshme të Shqipërisë me ardhjen e Ramës në pushtet.
Çani tha se kjo tregon që Shqipëria ka humbur sovranitetin.
“E parë nga jashtë, një i huaj do të skandalizohej. Ne nuk na bën më përhstypje. Shqipëria ka kohë që e ka humbur sovranitetin. Kur në pushtet ishte Berisha, amerikanët ndiheshin më pak. Me ardhjen e Ramës, ata janë përfshirë më shumë. Nuk kanë më kompleksin që të ndërhyjnë. E bëjnë hapur.
Pyetja që shtrohet është çfarë ka në dorë kjo shoqëri dhe ky vend që të krijojë një farë dinjiteti minimal. Gringot i kanë futur hundët në vende shumë të forta. Në vende të tjera ku kanë ndërhyrë, kanë marrë një përgjigje jo të butë. Shqipëria nuk ka fuqi, por në Greqi dhe Itali nuk dolën dhe aq mirë.
Ata janë ende superfuqi, derisa të vijnë kinezët. Si çdo perandori në fund, nuk ka kohë për të humbur, për t’u marrë me diplomaci. Duhen mbaruar punët shpejt. Unë them që e keqja nuk ka ardhur akoma”, tha ai për MCN Tv.