Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu pati një deklaratë për mediat këtë të premte. Deputeti propozoi hartimin e një projekt rezolute për të njehsuar sipas tij qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me situatën në rajon pas tensioneve në Bosnje-Hercegovinë.
“Është situatë shqetësuese që duhet të na bëjë të jemi me një zë”, tha Mediu
“Rruga më e mirë për të proceduar është një rezolutë e Kuvendit ku përfshihet mazhoranca dhe opozita. Jam i hapur për ndryshime, por në thelb të jemi së bashku”, shtoi ndër të tjera ai.
Mediu tha ndër të tjera se beson dhe shpreson që Bosnja nuk është në prag lufte, por Shqipëria duhet të marrë masa parandaluese edhe si një vend që është në NATO.
“Duke ndjekur me vëmendje të veçantë rritjen e tensioneve ndëretnike në rajonin tonë, tensione me rrezikshmëri të lartë për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të vet, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi;
Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga Parlamenti Europian, Kongresi Amerikan, Parlamenti Britanik, nga disa qeveri të vendeve europiane dhe shumë analistë seriozë në Europë e në SHBA, shqetësim i mbështetur sidomos në përpjekjet e fundit të Republika Srbska, për t’u shkëputur nga Bosnje Hercegovina, gjë që po çon, sipas vlerësimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së në BiH, Christian Schmidt, në shembjen e marrëveshjes së paqes, nënshkruar në Dejton në vitin 1995, me ndërmjetësimin e SHBA;
Duke i parë të ndërlidhura narrativat destabilizuese të Presidentit Vucic dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit serb, me ndërhyrjet e hapura për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me tentativat e Republika Srbska për të krijuar ushtrinë e saj, jashtë kontrollit kushtetues të Sarajevës, deklarimet për shkëputje nga BiH, situatën e paqëndrueshme politike në Maqedoninë e Veriut, si dhe me dislokimin e kohëve të fundit të ushtrisë serbe në kufi me Republikën e Kosovës, gjë që e shtyu Kryeministrin Kurti të paralajmëronte se rajoni po shkonte drejt një konflikti të armatosur;
Duke parë gjithashtu se kjo tablo shqetësuese është e ndërlidhur ngushtë me intensifikimin e shumëfishtë të pranisë Ruse në rajonin tonë, në zbatim të deklaratës së Presidentit Putin, se “Ballkani është një back yard i Rusisë”, gjë që në realitet po kryhet përmes mbështetjes ndaj Serbisë, për t`a shndërruar atë në fuqi dominuese në Ballkanin Perëndimor, si rrugë për t`a rritur presionin mbi Uashingtonin dhe Brukselin, propozoj.
1. Të ngarkojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në këshillim me partnerët tanë strategjikë dhe ta adresojë urgjentisht këtë problematikë në NATO.
2. Nëpërmjet delegacioneve të veta në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, t`a shpërndajë këtë rezolutë në këto asamble dhe t`a bëjë atë objekt debati atje, si dhe forumet e tjera ndërparlamentare.
3. I kërkon qeverisë, si anëtare e përkohëshme për dy vitet e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, të përcaktojë qartësisht objektivat për rajonin dhe Kosovën.
4. Të shtohet mbështetja për Integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, duke shpjeguar me theks të ri, se lënia e këtij shteti të ri jashtë, e ekspozon atë dhe rajonin me lehtësi përballë kërcënimeve ruso-serbe.
5. Të organizojë një forum ndërparlamentar Shqipëri – Mali i Zi – Kosovë – Maqedoni e Veriut, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare.