Ka qenë mjaft traumatik komunikimi mes LSI-së dhe PD-së pas deklaratës së Gazment Bardhit mbi negociatat paraprake për zgjedhjet e 25 prillit.
Ish-asistentja e Metës në LSI dhe njeriu më i afërt i Kryemadhit, ka përdorur një gjuhë të rëndë ndaj numrit dy të PD-së, që ngjau jo thjesht si shantazh, por edhe një ngjizje me zhargonin e sharjeve të Foltores.
Përveç kauzës së përbashkët të njerëzve të LSI-së dhe atyre të Foltores, si dhe të pakënaqurve të tjerë ndaj Lulzim Bashës, duket se çështja është politike në fakt.
Gazmend Bardhi ka rrëzuar një aksiomë të përdorur në fushatë, sipas së cilës nuk ka dashur Basha që të fuste LSI-në në listë të përbashkët. Ndërkohë që vetë partia e Monika Kryemadhit, nuk se jep ndonjë fakt për deklaratat e Bardhi, por thjesht e sulmon, për të mbyllur diskutimin.
Realisht LSI ka dalë e vetme në zgjedhje, pasi ka pritur që të marrë të njëjtin rezultat të vitit 2017, kur Sali Berisha arriti të fryjë LSI-në pikërisht pas takimit Basha-Rama, pas të cilit Ilir Meta, në krah me Fahri Balliun vrapo në zyrën e Sali Berishës te 20 katëshi pranë RTSH-së.
Në zgjedhjet e 2015, LSI mori 19 deputetë, e Lulzim Basha doli me 250 mijë vota mangut. Në mjaft qendra otimi historikisht demokrate, sin ë Laprakë, Kamëz e Paskuqan, LSI u rrit shumë në 2017, rritje që u aktivizua edhe në zonën e Shëngjinit në Lezhë, pjesën e bastionit demokrat, në Shijak(katër rrugët) që gjithashtu ishte e njohur si pro PD, në Belsh e Cërrik- qarkun e Elbasanit, në Devoll të Korçës, e normalisht në pjesën e minoritetit në Gjirokastrës falë Vangjel Tavos.
LSI doli e vetme në këto zgjedhje, pasi mendoi se 100 mijë votave që kjo parti i mori në këto zgjedhje do t’I shtoheshin të paktën 75-80 mijë vota të tjera. Aq e madhe ishte euphoria e njerëzve të LSI-së, kur i thoje që maksimumi në qarkun në Tiranë ishte 3 deputetë, edhe më pesimisti nga ato fliste për 5 deri në 6.
Një shifër që më shumë se irracionale ngjan e paarsyeshme. Në zgjedhjet e vitit 2017 LSI mori 4 deputetë në Tiranë, e shifrën 5 apo 6 e thonin për të rritur stekën, pasi nuk mendonin asnjëherë që do të binin nën tre.
E në fakt cili ishte zhvillimi më i rëndësishëm i zgjedhjeve të 25 prillit, përveç fitores së mandatit të tretë të Edi Ramës? Ishte rikthimi në PD i 250 mijë votave që Lulzim Basha i humbi në vitin 2017. Humbje që ringjallën Sali Berishën dhe Ilir Metën.
E në këtë rast, një forcim i Bashës, edhe politikisht duket se varet edhe nga rikthimi i çerek milioni votash në shtëpi. Që në fakt nuk është gjë e vogël. Akt që tregon se fuqia e Sali Berishës ka qenë mjaft më e dobët se 4 vjet më parë.
Njerëzit që në 2017 pranuar t’i japin votat Metës me urdhërin e “Babës”, këtë herë ndoqën djalin. Ja ky ishte zhvillimi më i rëndësishëm politik brenda opozitës, që realisht ka ndryshuar ekuilibrat në mënyrë përfundimtare… /Nga Ylli Pata