Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano ka zhbllokuar konkursin e gradave në radhët e policisë. Gazeta “SOT” pak ditë më parë i kushtoi një artikull të zgjeruar kësaj çështje, ku evidentohej fakti se ish-drejtori Ardi Veliu mbajti të bllokuar ndryshimin e gradave duke bërë që në krye të drejtorive dhe komisariateve të policisë të jenë të njëjtët individë. Që të jesh drejtor i Drejtorisë së Policisë në qarqe duhet grada “Drejtues i parë”.
Sipas informacioneve, në strukturën që ka miratuar qeveria numri total i personave që mund të kenë këtë gradë është 52. Mirëpo prej 4 vitesh realisht këtë gradë e kanë vetëm 31 persona. E njëjta gjë vlen dhe sa i takon gradës “Drejtues”. Sipas strukturës së miratuar nga qeveria, duhet të jenë 136 persona, por në fakt e kanë këtë gradë vetëm 87.
Duke u bllokuar konkursi, në drejtori dhe komisariate emëroheshin të njëjtët persona. Vetë Gledis Nano nis një proces reformimi, por kishim kalime drejtorësh nga një qark në tjetrin. Kjo ndodhi sepse vetëm 31 emra kanë gradën e nevojshme dhe askush tjetër nuk e merr dot atë post. Por me hapjen e konkursit dhe marrjen e grave nga individë të tjerë, do të kemi ndryshime në kupolën e policisë.
Detajet e konkursit
Sipas vendimit që ka marrë Nano, aplikimet do të jenë të hapura prej datës 30 nëntor dhe do të pranohem deri më datë 18 dhjetor. Konkursi do të hapet për 18 vakanca në gradën “Drejtues i parë” dhe 40 vakanca për gradën “Drejtues”. Nëse konkursi realizohet sipas planeve dhe shpallen 58 fitues, atëherë sinjalet janë se në janar të vitit që vjen do të ketë ndryshime të theksuara në kupolën e policisë.
Sipas shpalljes, por dhe ligjit, kandidatët duhet të plotësojnë kushtet: të ketë vlerësim të aftësive individuale të punës jo më të ulët se 70 për qind të vlerësimit të përgjithshëm; të përmbushë kriteret për pozicionin e punës; të jetë parashkruar masa disiplinore për shkelje të rëndë; të ketë përfunduar ciklin e parë të studimeve në arsimin e lartë;
të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm për gradë; të mos ketë filluar ndaj tij procedimi
penal; të mos ketë filluar ndaj tij procedimi disiplinor për shkelje të rëndë. Ndërkohë rol ka dhe vjetërsia në gradë. Nga “Kryekomisar” në “Drejtues” duhen 5 vite nga “Drejtues” në “Drejtues i parë” duhen 3 vite.
Fazat e testimit të kandidatëve
Sipas ligjit, për fitimin e gradës “Nënkomisar” deri në “Komisar”, kandidati vlerësohet në testimin me shkrim dhe intervistën me gojë. Për fitimin e gradës “Kryekomisar” deri në “Drejtues i parë”, kandidati vlerësohet në testimin me shkrim, ushtrime vlerësuese dhe intervista me gojë.
Kufiri minimal për kalimin me sukses të testimit përkatës përcaktohet nga Drejtori i Policisë së Shtetit që në momentin e shpalljes së fazës së aplikimeve, por ai nuk mund të jetë më i ulët se 70 për qind. Po sipas ligjit, numri i personave të shpallur fitues për fitimin e gradës përkatëse nuk mund të jetë më shumë se 30 për qind mbi numrin e vendeve të lira të shpallura për gradën përkatëse.