Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka zbuluar një skemë të pastrimit të parave. Në bashkëpunim dhe në koordinim me Drejtorinë Distrektuale Antimafia në Prokurorinë e Republikës në Gjykatën e Palermos janë siguruar prova konkrete që dëshmonin pastrimin e parave, skemë e shtrirë në disa shtete.
Pastrimi i parave ndodhte nëpërmjet firmave të naftës. Në këtë skemë janë të përfshirë shtetas italianë, zvicerianë, si dhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi. “Janë mbledhur prova se kjo skemë financiare është drejtuar nga shtetasit italianë F.Z. dhe I.Z., në bashkëpunim me shtetasin italian F.P., të shtetasit zviceran me origjinë italiane D.C., si dhe të shtetasit shqiptar R.T., i përfshirë në biznese në sektorin e naftës.
Ky i fundit në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht shtetasin A.B. dhe shtetasin B. L”, njofton SPAK. Një nga personat e përfshirë është Francesco Zumo 90-vjeç, i cili sipas njoftimit të SPAK ishte ai që drejtonte këtë skemë financiare. Zumo është emër i njohur për autoritetet italiane pasi disa vite më parë dyshohet se ishte i përfshirë në një tjetër skemë pastrimi parash, për llogari të “Cosa Nostra”.
Shtetasit shqiptarë të përfshirë në këtë skemë dyshohet se ndihmonin dhe në transferimin e shumave monetare nga Zvicra në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, por që nuk arriti të realizohej plotësisht për shkak të hetimeve nga SPAK. Transferimi i shumave monetare bëhej me qëllim marrjen e një përqindje të caktuar në varësi të shumës. Në pranga ka rënë dhe Fabio Petruzzella, që dyshohet se ishte ai personi që solli një shumë parash në Shqipëri për t’i shpëtuar nga konfiskimi.
Në kuadër të këtij operacioni SPAK ka sekuestruar një shumë prej 18 milionë euro, para të cilat mendohet se Petruzzella i ka sjellë në Shqipëri. “Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro”, thuhet në njoftimin prokurorisë.
Shpallet në kërkim biznesmeni
Sipas deklaratës së SPAK, shtetasi Rezart Taçi ka përfshirë në skemën e pastrimit të parave dhe dy personat e tij të besuar, shtetasit Artur Balla, kunati i Taçit si dhe truprojën e tij Bledar Lilo. Ndaj tre shtetasve shqiptarë të përfshirë SPAK ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”. Këta persona janë të dyshuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Ditën e djeshme kanë rënë në prangat e policisë shtetasit A.B. dhe B.L. Ndërsa është shpallur në kërkim biznesmeni shqiptar R.T. “Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 12.11.2021 masën e sigurimit personal të vendosur ndaj shtetaseve A.B dhe B.L. Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar”, njofton prokuroria e posaçme.