Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka iu ka hapur sot derën e zyrës së tij gazetarëve e mediave për t’u njohur me 4200 formularët e dorëzuar në PD nga mbështetësit e Berishës për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm Kombëtar.
Nga “kasaforta” siç e cilësoi sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, Paloka tha se formularët janë plotësuar dhe firmosur nga delegatët e kuvendit dhe përmbajnë të gjitha të dhënat.
“Qëllimi sot, i gazetarëve është kush ka durim të ulet dhe t’i shohë këta formularë. Të dhënat personale, ato që duhet të ruhet fshehtësia ju lutem të mos i fokusoni.
Janë 4200 të dorëzuar atë ditë, kanë ardhur dhe formularë të tjerë, por rrimë tek 4200. Janë formularë të plotësuar nga delegatët. Delegatët e Kuvendit janë të përcaktuar në statut, janë pjesëtarë të kryesisë së degëve, anëtarë të Këshillit Kombëtar, deputetë dhe deri tek kryetari i partisë. Të gjithë këta që kanë firmosur nuk janë thjesht anëtarë, por janë delegatë të Kuvendit.
Delegatët nuk ndryshojnë, janë po ata. Nga kryetar seksioni deri tek kryetari i partisë të degës. Janë të gjitha të dhënat, emër, mbiemër, emër të babës, numrat e kartës së identitetit dhe funksionin në parti që i bën delegat. As unë dhe as ju nuk do bëni verifikimin e emrave. Këtë gjë e bën komisioni i verifikimit të mandateve në Kuvend.
Unë jam si kryetar i këshillit, njëra palë më ka kërkuar të depozitoj këta formularë. Ky është kuvend i jashtëzakonshëm. procedurat e statuti parashikojnë kur kuvendi mblidhet në mënyrë normale. në këtë rast kur nuk iu përgjigjen detyrimeve statutore, jemi të detyruar t’i bindemi vullnetit të shumicës së Kuvendit të PD-së. Jemi të detyruar të zbatojmë detyrat tona statutore. Nëse dikush nuk e zbaton këtë detyrim, atëherë kanë detyrimin firmëtarët, që janë realisht nismëtarët e Kuvendit të vazhdojnë me procedurat”, deklaroi Paloka.