Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha po shfaqin nga dita në ditë aleancën mes tyre kundër Bashës dhe SHBA.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pohuar disa herë se Meta-Berisha janë bërë bashkë për ta rrëzuar atë nga drejtimi i PD, ndërkohë që kjo aleancë ka dalë e gjitha në pah ditët e fundit. Ish-kryeministri Berisha dhe presidenti Meta kanë hedhur në sulm shpurën e tyre për të sulmuar kryedemokratin Basha.
LSI dhe besnikë të ish-kryeministrit janë vënë në lëvizje, pas deklaratës së bërë të enjten në mbrëmje nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka zbardhur detaje nga prapaskenat mes demokratëve dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Bardhi lëshoi kritika ndaj LSI, ndërsa zbuloi se PD i kishte bërë ofertë për të hyrë në koalicion të përbashkët, por që sipas tij, ajo nuk kishte pranuar pasi kishte pretendime se do të merrte 40 deputetë.
LSI sulmon kreun e PD
Fillimisht, ka qenë kryetarja e Lëvizjes Socialiste Për Integrim, Monika Kryemadhi, që përmes një statusi në rrjetet sociale ka mohuar deklaratën e Bardhit duke e quajtur gënjeshtër, ndërkohë që ka thumbuar edhe Bashën për djegien e mandateve.
“Listës së mashtrimit, që për djegien e mandateve do t’i dilte në krah kancelarja Merkel dhe PPE, iu shtua tashmë publikisht edhe kjo e 15 mandateve të ofruara. Një mashtrim pervers që kalon çdo limit njerëzor dhe që i shërben vetëm Ramës dhe hijes së tij”, deklaroi Kryemadhi. Ndërkohë dje në një konferencë për shtyp, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili replikoi me Bardhin, teksa theksoi se s’ka pasur kurrë një propozim për mandate nga PD duke e quajtur këtë një gënjeshtër.
“S’ka pasur kurrë një propozim zyrtar nga partia e Bashës për mandate e numra mandatesh e gjëra të kësaj natyre. Faqe e zezë për ata që mashtrojnë pasi kanë shitur interesat për opozitën për ditën me diell”, deklaroi Vasili. Po ashtu, edhe sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari ka rrëzuar dje pretendimet e Bardhit, ndërsa ka sulmuar Bashën gjatë një prononcimi për mediat. “Unë nuk di dhe nuk ka zyrtarisht një mbledhje të PD ku është diskutuar kjo çështje se LSI po i ofrohen 15 mandate. Ky është një blof për të ngarkuar LSI me një përgjegjësi që se ka pasur. LSI nuk mund të vendosi partinë e saj në shërbim të kunatit”, deklaroi Braimllari.
Besnikët e Berishës krah LSI
Por si për çudi në krah të LSI dje ka dalë hapur edhe ish-nënkryetari i PD, deputeti Edmond Spaho, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale sulmon kryedemokratin Basha për djegien e mandateve dhe i del në mbështetje partisë së presidentit. “Unë nuk kam qenë dëshmitar në komunikimin e zonjës Kryemadhi me zotin Basha. Këto biseda përgjithësisht janë shumë konfidenciale.
Ajo që unë mund të them me siguri, është që në maj 2018 kemi vizituar Bundestagun Gjerman dhe zoti Basha pati mundësinë të takojë jo vetëm drejtuesit më të rëndësishëm të CDU/CSU në Bundestag, por edhe njerëz shumë të rëndësishëm të kabinetit të Zonjës Merkel. Të gjithë na kërkuan të mos djegim mandatet dhe Basha i siguroi që nuk do i djegë mandatet. Pjesa tjetër është histori, Basha jo vetëm nuk po merr përgjegjësitë për çfarë ka bërë, por po manipulon opinionin publik”, shkruan Spaho.