Këta që shihni në foto janë Zenel Gjoni dhe djali i tij Jashari, babë e bir, të cilët u ndanë nga jeta pak ditë më parë brenda pak orësh njëri nga tjetri.
Ish-nënkryetari i LSI-së dhe ish-deputeti, aktualisht gazetari Luan Rama ka publikuar foton e tyre dhe një dedikim prekës, ku tregon edhe lidhjen e fortë që kishin me njëri-tjetrin babë e bir.
“Ata ishin babë e bir, por ishin po aq edhe shokë të mirë e krejt të veçantë me njëri-tjetrin. Ku ishte Zeneli, do të ishte medoemos edhe Jashari.
Nuk ndodhte kurrë të ishte njëri e të mungonte tjetri. Kështu edhe ikën, bashkë me njëri-tjetrin, babë e bir”, shkruan Luan Rama.
Mësohet se pak ditë më parë, Jashar Gjoni humbi jetën si pasojë e një infarkti dh pak orë më vonë edhe babai i tij.
POSTIMI I PLOTE I LUAN RAMES
Ikën babë e bir:
MARTANESHI NË ZI
E rëndë!
Dhe më shumë se e rëndë, e thekshme!
E papërballueshme pesha e dhimbjes për ndarjen nga jeta brenda të njejtës ditë të Zenel Gjonit dhe djalit të tij, Jasharit.
Ikën bashkë babë e bir.
Kumti i kobshëm e mpiu Martaneshin tonë.
Mali i dhimbjes na e pushtoi shpirtin, si për të na vënë në provë paanësinë e solidaritetit dhe të dashurisë që ne martaneshasit kemi për shoshoqnë, pavarësisht se ku gjendemi e nëse e njohim apo jo njëri-tjetrin nga afër.
Zenel Gjoni iu dedikua Martaneshit.
I shërbeu pa asnjë rezervë, e deshi dhe punoi me përkushtim.
Unë e kisha mik dhe ai më donte e respektonte siç ai dinte.
Nuk do ta harroj mirësinë dhe bujarinë e zemrës dhe të fjalës së tij.
Jasharin, të birin, e kisha moshatar.
Punëtor dhe fisnik, përherë i qeshur, zemërmirë.
Si i jati.
Ata ishin babë e bir, por ishin po aq edhe shokë të mirë e krejt të veçantë me njëri-tjetrin.
Ku ishte Zeneli, do të ishte medoemos edhe Jashari.
Nuk ndodhte kurrë të ishte njëri e të mungonte tjetri.
Kështu edhe ikën, bashkë me njëri-tjetrin, babë e bir.
Ikën në tokën e Martaneshit që aq shumë e deshën dhe që i bënte krenarë.
Ikën për të na lënë pas dhimbjen e thekshme, mungesën që do të na dhembë të gjithëve.
Iu ndrittë shpirti!