Hetimi për zgjedhjet e 25 prillit duket se po has pengesat e para. Dje u mblodh komisioni hetimor ku u konstatua se shumica e institucioneve nuk kanë kthyer përgjigje për informacionet që i janë kërkuar.
Kreu i komisionit, Enkelejd Alibeaj deklaroi se një sërë institucionesh nuk kanë kthyer përgjigje edhe pas paralajmërimit që komisioni u ka dërguar. Ai u shpreh se nëse institucionet nuk do të kthejnë përgjigje edhe pse e kanë detyrim ligjor, atëherë do të ndiqet një rrugë tjetër.
Sipas tij, do të ketë një kallëzim për shpërdorim detyre për të gjitha ato institucione që nuk i janë përgjigjur këtij detyrimi ligjor.
“Ende nuk ka kthyer përgjigje Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ka dhe shumë institucione që nuk kanë kthyer përgjigje, edhe pas paralajmërimit të bërë nga ne, Inspektorati i Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Këshilli Kombëtar i Territorit, Ministra e Shtetit për Rindërtimin, Departamenti i Administratës Publike, OSHEE, Ministria e Brendshme, Arsimit, Drejtësisë, e Mbrojtjes, e Kulturës, e Turizmit, SHISH, Policia e Shtetit.
Nëse në orën 16.00 të ditës së sotme pas kontrollit që sekretaria do të bëjë në protokollin e Kuvendit do të rezultojë që ka ende përgjigje të paardhura, do të konsiderohet që ky detyrim ligjor ndaj Kuvendit nuk është përmbushur dhe do të reagojmë me një kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj institucioneve që nuk i janë përgjigjur këtij detyrimi ligjor”, tha ai.
Përplasjet PD-PS
Nga ana tjetër përgjigja e Partisë Demokratike sa i përket funksionimit të strukturës së mbrojtjes së votës, ka shkaktuar debate mes demokratëve dhe socialistëve. PD refuzoi dhënien e informacionit për këtë strukture duke e quajtur kërkesën e mazhorancës, jashtë objektit të punës së komisionit.
Lidhur me këtë nënkryetari i komisionit, Toni Gogu u shpreh se përgjigja e ardhur nga PD nuk ka asnjë informacion prandaj ajo do të ridërgohet, teksa paralajmëroi detyrimin ligjor që ajo ka për të dhënë informacionin e kërkuar.
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka dalë në mbrojtje kësaj strukture duke u shprehur se ata që qëndrojnë pas saj janë qytetarë të ndershëm dhe vullnetarë të PD, të cilët nuk do të bëhen ushqim për patronazhistë. Bardhi tha se PD nuk ka ngritur grupe paramilitare dhe askush nuk ka qenë i armatosur teksa akuzoi PS se kishte ngritur grupe paramilitare me eksponentë të krimit të organizuar.
Sipas tij kjo strukturë është normale ashtu si struktura që kanë ngritur edhe parti të tjera politike në botë. “Ata janë qytetarë të ndershëm, vullnetarë të PD dhe nuk do t’i dorëzojmë kurrë për t’u bërë ushqim për patronazhistët tuaj. Secili prej tyre ka pasur mbi shpinë gjatë katër muajve Policinë e Shtetit.
Ka ardhur Policia e Shtetit dhe i ka kontrolluar me dhjetëra herë. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i armatosur. PD nuk ka ngritur grupe paramilitare. Grupe paramilitare kishte ngritur PS me eksponentët më të rrezikshëm të krimit të organizuar. Nëse doni emra dhe informacione kur të vijë koha i themi këtu. Ajo që ne kemi ngritur është çdo strukturë që ka ngritur çdo parti politike në të gjithë botën”, tha Bardhi.