Thellohet skandali me falsifikimin e firmave për të thirrur Kuvendin e PD më 11 dhjetor. Të martën “Fiks Fare” tregoi se si një gazetare e saj në Sarandë kishte firmosur për të thirrur Kuvendin pa qenë delegate.
Dje skandali është thelluar. Fiksi tregoi me zë dhe figurë firmosjen nga gazetarët e tij të dy formularëve me identitet fals në ‘Foltoren’ e mbajtur në Fushë Krujë. Askush nuk u kërkoi një dokument identifikimi apo anëtarësimi, thjesht u dhanë formularët për plotësim dhe firmë.
E gjitha ndodhi vetëm pak minuta se vetë Z. Sali Berisha të paraqitej në ‘Foltoren” e radhës në Fushë Krujë më dt 16 nëntor 2021. Gjatë pritjes së mbërritjes së Berishës gazetarët e Fiksit i kërkuan një anëtari të PD-së formularë për t’i plotësuar dhe firmosur.
Pa nguruar ai u solli dy formularë pa i pyetur as nëse ishin delegat apo anëtar të PD-së. Gazetarët e Fiksit marrin formularët dhe pa asnjë pengesë në një ambient pak më të qetë i plotësojnë duke përdorur gjeneralitete false. Pas plotësimit, formularët ia dorëzojnë të njëjtit person, anëtarit të PD-së. Menjëherë pas firmosje mbërrin edhe z. Berisha.
Reagon Edi Paloka
Skandali i publikuar në media për manipulim të firmave për Kuvendin e 11 dhjetorit, ka sjellë valë reagimesh pranë stafit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ishte kreu i Këshillit Kombëtar të PD Edi Paloka, i cili ka shpjeguar me detaje procesin e mbledhjes dhe verifikimit të firmave.
Paloka tha se procesi ka kaluar në disa faza dhe është kjo arsyeja që ai pranoi që të depozitoheshin firmat e delegatëve në zyrën e tij, pasi më parë kishte krijuar bindjen, se gjithçka verifikohej nga vetë strukturat e angazhuara në këtë proces.“Përpara se unë të pranoja të merrja në dorëzim 4200 formularët nga përfaqësuesit e firmëtarëve, pata një takim me ta.
Po ashtu, bëra një kontroll vertikal të formularëve. U sqarova me atë rast se formularët janë administruar në fazën e plotësimit të tyre, prej drejtuesve të PD në degë, duke filluar nga kryetarë, nënkryetarë e deri tek drejtuesit e grup seksioneve.
Pas kësaj faze, formularët e degëve, janë dorëzuar tek një grup pune i ngritur në Tiranë nga përfaqësuesit e firmëtarëve”, tha ai.
Berisha në “gjunjë” para Bashës
Duke qenë se po dalin skandale nga dita në ditë, duket se Berisha kërkon dialog me Bashën. Në një farë mënyre ai po i përgjërohet. Paloka pak ditë më parë, por dhe dje ripërsëriti kërkesën që të ngrihen dy grupe për verifikimin e firmave, një nga Basha dhe një nga Berisha.
Pra duket qartë se ish-kryeministri po kërkon dialog me liderin e PD. “Edhe një herë unë ju bëj thirrje palëve, (po kryesisht palës që ka shprehur dyshimet) nëse duan, le të caktojnë përfaqësues dhe të bëjnë verifikimin një për një të formularëve dhe të delegatëve që i kanë plotësuar”, tha ai.
Vaso: Formulari i gazetares u gris
Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së degës lokale të PD në Sarandë, Spiro Vaso, i cili është një prej ndjekësve të “Foltores” së Sali Berishës ka reaguar pas skandalit me firmat. Ai u shpreh se sapo e zbuluan se vajza që firmosi ishte një gazetare e infiltruar që firmosi formularin e Partisë Demokratike, fleta e saj u gris.
“Në kushtet kur ndodheshim ne aktivitet, asnjë nga ne nuk ishte i pajisur me listën e delegateve. Ju garantoj se pas verifikimit, emri i kësaj shtetaseje nuk rezultoi në listën e delegatëve dhe ai formular u gris e nuk u dorëzua në selinë qendrore të PDSH”, tha ai. /NGA SIDORELA BRAÇJA