Si sot 30 vjet, më 18 nëntor 1991, forcat serbe pushtuan qytetin kroat të Vukovarit. Më parë e sulmuan për gati 90-të ditë me krejt arsenalin që kishin. Kur u futën në qytet, ushtarët dhe paramilitarët serbë arrestuan edhe pacientët e spitalit të Vukovarit, mbi 200, të cilët i dërguan në një kombinat bujqësor në periferi të qytetit. Aty i pushkatuan të gjithë.
Sot aty gjendet një muze që kujton viktimat. Mes shumë emrave gjenden edhe disa emra shqiptarësh të Vukovarit të vrarë nga soldateska e Beogradit.
Në tmerrin e Vukovarit shqiptarë kishte gjithandej, në të gjitha frontet. Pra, kishte shqiptarë që banonin e jetonin në Vukovar dhe që u vranë nga ushtarët serbë. Kishte shqiptarë që iu bashkuan forcave kroate për të mbrojtur Vukovarin.
Dhe kishte rekrutë shqiptarë që kishin mbetur në armatën e serbizuar jugosllave dhe të cilët zhvillonin betejën e jetës së tyre: si të iknin nga kjo ushtri e urryer dhe të shpëtonin kokën? Oficerët serbë i kanë shitur për para të majme kokat e ushtarëve shqiptarë.
Vukovari është një dramë shqiptare për të cilën duhet të shkruhen libra. Dy gjëra, mes shumë të tjerave, më kanë mbetur në kujtesë nga qëndrimet e disahershme në Vukovar: një shqiptar nga Gostivari që shiste hamburgerë në një kamp-shtëpizë dhe priste që autoritetet kroate t’ia lëshojnë lejen për të ndërtuar shtëpinë e shkatërruar.
Por meqë ishte shqiptar dhe shtëpinë e kishte në qendër, autoritetet, ah, aq dashamirëse kroate, e terrorizonin me burokraci. Dhe një kujtim tjetër: Vukovari është vendlindja e Lavoslav Ruzhiçkës, i cili si profesor në ETH të Zürichut mori Nobelin për Kimi. Në Vukovar shtëpia e Ruzhiçkës është muze.(E.Robelli)