Arben Ahmetaj i është përgjigjur kërcënimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha i cili u shpreh nga foltorja e Kuvendit se ministrat socialistë s’do kenë vend ku të futen të shtunën e protestës. Berisha tha në Kuvend se disa prej tyre janë lërguar që sot, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ahmetajt i cili i ka përmendur ish-kryeministrit 21 janarin.
“I keni pyetur pse nuk e bën në 21 janar po e shtyn në 27, ju vratë për të mbajtur pushtetin dhe kërcënoni tani se do sulmoni institucionet. Ne do jemi ku kemi qenë, do ju respektojmë protestën, do ju dëgjojmë, do ju kthejmë përgjigje kur është për t’u kthyer etj. Ti je ikonë e krimit, i ke duart me gjak shqiptarësh, i ke sot duart me gjak shqiptarësh, më shumë se dy herë, edhe i ke spiunuar edhe i ke çuar në pritë, të rëndon Gërdeci”- iu drejtua Ahmetaj Berishës.
Ministri i Financave iu referua edhe situatës ekonomike, duke theksuar ekonomia shqiptare sot nuk është si në kohën e qeverisjes së demokratëve, por me terma shumë herë më optimistë.
“Në vazhdën e të vërtetës ekonomike, ju i referoheni rritjes ekonomike në përrallat tuaja, ne nuk jemi vend rozë, kemi probleme në të gjithë sektorët, por nuk është as e 2009, është mirë që para 27 bëni një kronologji të ngjarjes që do mbështesin shqiptarët. Kë do mbështesin shqiptarët, historitë, që ‘për firma jepja Shkëlzenit’, të shohin dhe ta dinë shqiptarët se ke do mbështesin, je ai që the se paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë dhe përfunduan 3 mijë të vdekur, këtë do mbështesin shqiptarët”, tha ministri i Financave. /Shqiptarja.com