Kreu i PD Lulzim Basha, ka intensifikuar sulmet ndaj presidentit Ilir Meta. Pasi e bëri pjesë të “Trekëndëshit të Bermudës”,
Basha e akuzoi dje se presidenti shkatërroi fushatën e opozitës duke i dhënë fitoren mazhorancës në 25 prill. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai u shpreh, se kur përmendet trekëndëshi i Bermudës është presidenti Meta dhe jo institucioni i presidentit.
“Ka qenë Ilir Meta pjesë, personi Ilir Meta, i cili nëse më pyesni, dy javët e fundit të fushatës ka qenë aseti më i madh i Edi Ramës, shkatërruesi i fushatës në bindjen time, të LSI-së në veçanti në disa zona elektorale nga Vlora në Elbasan dhe në veçanti në javët e fundit me qëndrimet e tij, ka çuar ujë tek mulliri i Edi Ramës.
Pra, kur përmend trekëndëshin e Bermudës, përmend personin Ilir Meta, politikanin Ilir Meta dhe jo institucionin e presidentit të cilit i kemi dalë në krah sa herë ka qenë në krah të kushtetutës”, tha ai. Ndër të tjera, Basha ka hedhur akuza edhe ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ai u shpreh, se ky i fundit ka synime që të përçajë partinë. Basha theksoi, se ai si kryetar i partisë ka përgjegjësinë që të përfaqësojë vullnetin e demokratëve. “Padiskutim ajo që ka rrjedhur është diçka e pakëndshme, është një lëvizje përçarëse për interesa personale të Sali Berishës dhe kundër interesave të çdo demokrati.
Edhe të atyre demokratëve që kanë besuar në fillim se kjo ishte një lëvizje për demokraci të brendshme apo për respektim statuti, ndërsa unë si kryetar i Parisë Demokratike i zgjedhur me një anëtar një votë, me përgjegjësitë që më jep statuti i Partisë Demokratike dhe institucionet e tjera të Partisë Demokratike, të zgjedhura po kështu nga demokratët për të përfaqësuar vullnetin e demokratëve”, tha ai.
Përjashtimi i Berishës formalitet
Kreu demokrat dha dje një intervistë edhe në “Report Tv”, ku këmbënguli se ka prova që ish-kryeministri Berisha po shoqërohet nga njerëz të botës së krimit. I pyetur për kërcënimin me “ushtarët e krimit” ai tha: “Nuk preferoj të komentoj metafora, pas të cilave nuk fshihet dot mungesa e përgjigjes.
Zoti Berisha njihet që me protagonizmin e tij, është marrë me figura që askush ndoshta s’i kishte dëgjuar para se të denoncoheshin nga ai. Dhe shumë prej këtyre denoncimeve edhe kanë qëndruar. Jo të gjitha, por një pjesë kanë qëndruar. Si mund të mos merret ai, me atë që e di i gjithë Elbasani, që Aqif Rakipi, i larguar nga Parlamenti për shkak të Ligjit të dekriminalizimit, po punon ethshëm për të kërcënuar e shantazhuar demokratët e Elbasanit?”, tha ai.
Më tej lideri demokrat paralajmëroi se përjashtimi i Berishës nga PD do të jetë formalitet i Kuvendit të 18 dhjetorit. Ai u shpreh i bindur se statuti do të zbatohet me përpikëri.
“Unë e kam thënë në ditën time të parë si kryetar i PD-së dhe dua ta përsëris: nuk kam përjashtuar dhe nuk përjashtoj askënd nga PD-ja, nuk mbaj askënd me zor në PD, por një gjë të jetë e qartë si drita e diellit, statuti që na bashkon, që na mban bashkë, do të zbatohet.
Vijat e kuqe nuk i përcakton kryetari i PD-së, i përcakton Statuti i PD-së dhe çdo akt, veprim apo qëndrim që bie ndesh interesave elektorale dhe politike të PD-së, që shkel mbi sakrificën e demokratëve për interesat personale të çdokujt, pa diskutim dhe pa më të voglin hezitim, do të marrë përgjigjen që përcakton statuti”, tha lideri demokrat duke paralajmëruar në këtë mënyrë zhvillime pas 1 8 dhjetorit./SOT