Pas Kontrollit të Lartë të Shtetit pritet të nisë një konflikt i ri mes mazhorancës dhe presidentit.
Komisioni i Ekonomisë ka nisur procedurat për reformimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë duke hapur 2 vende vakante, por në fillim të vitit që vjen mbaron mandati i Guvernatorit Gent Sejko dhe sipas ligjit ashtu si kreu i KLSH, propozimi bëhet nga presidenti dhe votimi nga Parlamenti.
Duke qenë se raportet janë mjaft të tensionuara dhe po ashtu duke parë rastet e kreut të KLSH dhe atij të SHISH që u bllokuan shumë muaj, në horizont duket një konflikt i ri. Ndërkohë Banka e Shqipërisë mund të jetë dhe institucioni i parë ku PD dhe PS do të tentojnë bashkëpunimin.
Vakancat e reja
Vakancat në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë po krijohen për shkak të përfundimit të mandatit 7 vjeçar të anëtarëve Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola, të cilët u zgjodhën në detyrë në dhjetor të vitit 2014. Natasha Ahmetaj mban edhe detyrën e zëvendësguvernatores së dytë që prej majit të 2015.
Ndërkohë procedura paraprake e përzgjedhjes së emrave do të kalojë në disa faza. Pas shpalljes publike të vakancave nga Kuvendi i Shqipërisë, kandidatët kanë 20 ditë kohë për të paraqitur aplikimin e tyre, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm që vërteton plotësimin e kritereve ligjore.
Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, kriteret bazë që duhet të plotësojnë kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës janë arsimi i lartë me profil ekonomik ose juridik, përvoja profesionale në çështje financiare dhe bankare, kualifikime profesionale të profilit dhe një përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.
Në përfundim të afatit, lista e kandidatëve që kanë aplikuar iu vendoset në dispozicion deputetëve dhe grupeve parlamentare. Brenda pesë ditëve nga dërgimi i listës te grupet parlamentare, shërbimet e Kuvendit organizojnë dëgjesë publike me kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore. Pas dëgjesës publike, deputetët përzgjedhin kandidatë që do t’i paraqiten Kuvendit për votim. Për t’iu propozuar Kuvendit në votim, një kandidat duhet të marrë mbështetjen e të paktën 28 deputetëve.
Reformimi i BSH, pritet konsensus PS-PD
Sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje. Pesë anëtarë propozohen nga vetë Kuvendi, tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori. Çështja e Bankës së Shqipërisë pritet të çelë siparin e negociatave mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike sepse për miratimin e emrave duhet konsensusi i të dyja palëve. /NGA ALEKSANDRA HOXHAJ