Në shkallët e kryeministrisë mbrëmjen e djeshme janë ndezur qirinj në shenjë homazhi për vogëlushin 8-vjeçar Mateo Vasiu, që u vra mizorisht nga fqinji i tij Klodian Çalamani.
Shumë qytetarë të prekur nga ngjarja e rëndë, disa prej tyre edhe me fëmijët përdore janë afruar me qirinj në shkallët e kryeministrisë.
Të shumtë kanë qenë qytetarët që iu bashkuan familjes së vogëlushit ditën e djeshme në ambientet e Gjykatës së Fierit, ku pritej të vinte vrasësi. Mirëpo, ai nuk erdhi dhe vendimi ndaj tij, si rrallë herë, u dha në mungesë. Sakaq, mbrëmjen e kësaj të premteje, qytetarë të Tiranës kanë ndezur qirinj në shkallët e kryeministrisë.
Në fotot e shkrepura nga LSA, shihet se si në krye qëndron portreti i të miturit dhe anash saj, qirinj të shumtë. Një pankartë aty pranë portretit ka të stampuara fjalët prekëse: “Mos më vrit, nuk dua të bëhem Engjëll”. Familjarët dhe qytetarët kanë kërkuar dënimin me varje ose vrasje për autorin e këtij krimi të rëndë, por ky akt bie ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e kësisoj nuk mund të realizohet.
Kryeministri Rama, në reagimin e tij mbi këtë rast, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të bëjnë punën dhe të dënojnë maksimalisht Çalamanin. Ai kërkoi që strukturat të angazhohen në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen.