Kryeministri Edi Rama ndodhet në Durrës, ku po zhvillon një takim me kryetarët e bashkive dhe prefektët e qyteteve bregdetare.
E teksa po flitet për pastrimin e mjedisit, Rama ka treguar një histori nga rinia, ku tha se kishin këputur një lule dhe se qytetarët i kishin denoncuar dhe policia i kishte ndjekur në hotel, duke dhënë mesazhin se duhet të kontribuojnë edhe qytetarët në pocesin e pastrimit të mjedisit.
“Kusurin më të madh këtu e kanë individët që e bëjnë të pamundur këtë beteje. Imagjinoni një moment kur një qytetar një Gjermani apo Francë të hidheshin plehrat nga dritaret e makinave, nuk do të mjaftonin ushtritë që mund të pastronin.
Po ju tregoj një episod që kam të fiksuar në kokë që nga koha e komunizmit kur kemi shkuar të luajmë basketboll jashtë vendit edhe kemi kaluar në një park dhe dikush nga ne ka këputur një lule, aty s’kishte as policë, në hotel nga ka ardhur inspektori dhe pastaj mësuam që denoncimi ishte bërë nga një qytetar për një lule të këputur në anë të rrugës kishte lajmëruar policinë, ata kishin marrë të dhënat dhe na kishte ardhur në hoteli për një lule.
Nuk është cështje policie, ushtrie, cështje gjobash është cështje vetëdijesh qytetarësh, nuk duhet të heshtësh nëse shikon njerëz që bëni krime mjedisore, qytetarët të fotografojnë dhe të denoncojnë ata që bëjnë krime mjedisore”, tha Rama.
Rama nuk ka kursyer edhe lëvdatat për bashkinë e Lezhës, duke thënë se është një ndër qytetet më të pastra.
“Në Bashkinë e Lezhës kemi pasqyre ndryshe nga pjesa tjetër dhe as nuk ka ndonjë taksë marramendëse për pastrimin apo mbështetje speciale nga qeveria. Por ka një skemë organizimi përmes së cilës arrin të garantojë, ndoshta jo 100 % të shkëlqyer, por është një kuotë të lartë pozitive”, tha kreu i qeverisë.