Ka një arsye të fortë se pse Ilir Meta ka shpërthyer në akuza dhe po kërcënon me jetë Lulzim Bashën pikërisht në një kohë kur ky i fundit është ndarë përfundimisht nga Sali Berisha, aleati i vetëm sot i Presidentit në shkarkim.
Arsyeja ka të bëjë me shkarkimin e Ilir Metës nga Gjykata Kushtetuese, vendim i cili do t’i hapë rrugë Departamentit Amerikan të Shtetit për të publikuar dekretin e shpalljes “non grata” të Ilirit dhe Monikës, duke i dhënë një mesazh SPAK për të goditur simbolin e korrupsionit, krimit, shantazhit dhe mashtrimit në Shqipëri.
Ilir Meta pritet të shkarkohet pasi Lulzim Basha i ka marrë votën vendimtare në Gjykatën Kushtetuese, atë të Marsida Xhaferllarit.
Deri në shtator, Meta dhe Berisha kontrollonin tre vota në Gjykatën Kushtetuese; votën e Marsida Xhaferllarit, Sonila Bejtes dhe Vitore Tushës. Dy dinozaurët e elites së vjetër bënë një luftë me kosto të madhe për të emëruar Xheferllarin dhe Bejten në mënyrë të paligjshme në Gjykatën Kushtetuese, si dhe për të mbajtur Vitore Tushën, të cilës i ka mbaruar mandati që në vitin 2017. Xheferllari ka qenë një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës dhe Sali Berishës.
Ajo ka qenë avokate e qeverisë Berisha, sekretare e ministrave të tij në Ministrinë e Drejtësisë etj., dhe nga ana tjetër ka qenë e besuara e Presidentit të sotëm, kur ky i fundit ishte kryetar i KLD-së, pasi Xhaferllari ishte kryeinspektore.
Sonila Bejtja komandohet gjithashtu nga Meta dhe Berisha, pasi ajo është bashkëshortja e Andi Bejtas, themelues i televizionit të familjes Berisha dhe i besuar i LSI-së. Ndërsa Vitore Tusha është emëruar nga Sali Berisha në Kushtetuese dhe ajo komandohet nga ai, edhe pse ka pasur disa lëkundje vitet e fundit.
Fakti që Meta dhe Berisha luftuan për të shkarkuar Ardian Dvoranin që i kishte mbaruar mandati, dhe mbrojtën Vitore Tushën, të cilës gjithashtu i ka mbaruar mandati, tregon se vota e saj është për dyshen Meta-Berisha.
Me këto tre vota, Meta i shpëtonte shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese. Por, ka ndodhur ajo që Berisha dhe Meta nuk e kishin menduar. Lulzim Basha tashmë besohet se kontrollon votën e Marsida Xhaferllarit. Kjo e fundit është bashkëjetuesja e Enkelejd Alibeajt, i cili mbështet fort Lulzim Bashën.
Për këtë arsye Berisha e sulmoi disa ditë më parë. Meqenëse Alibeaj është shumë pranë Bashës, ky i fundit përmes tij do të ndikojë që Xhaferllari të votojë pro shkarkimit të Ilir Metës, të cilin Basha e ka shpallur si simbol i së keqes./Pamfleti