Thirrja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më 18 dhjetor nga kryedemokrati Lulzim Basha, ka tmerruar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe njerëzit besnik pranë tij.
Edhe pse ish-kryeministri Berisha këmbëngul për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor, duket se frika më e madhe e tij është dështimi i këtij takimi të thirrur prej tij. Për këtë arsye dhe për të shmangur një dështim të mundshëm, mësohet se zoti Berisha ka nisur një fushatë të fortë në prapaskenë për të detyruar deputetët, krerët e degëve dhe grupseksioneve që të marrin pjesë në tubimin e thirrur prej tij më 11 dhjetor.
Gazeta ka mësuar se besnikë të ish-kreut të Partisë Demokratike kanë nisur ditët e fundit shantazhet dhe presionet ndaj delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD, me qëllim që këta të fundit të mos bojkotojnë takimin e Berishës. Mësohet se delegatët demokratë që kanë qenë drejtorë në kohën e qeverisë “Berisha” po shantazhohen me dosje dhe po iu kërkohet që të jenë prezent në Kuvendin e 11 dhjetorit.
Madje sikundër theksuan të njëjtat burime, mësohet delegatëve iu është kërkuar që në Kuvendin e 11 dhjetorit të çojnë sa më shumë militantë, pasi ky takim ka si qëllim në vetvete edhe tregimin e forcës, ku synohet që salla të jetë e mbushur plot. Po ashtu, mësohet se njerëz pranë Berishës po iu bëjnë presione edhe deputetëve aktualë, të cilët gjithashtu janë kërcënuar me dosje dhe publikimin e tyre, në rast se ata refuzojnë të bojkotojnë Kuvendin e 11 dhjetorit që është thirrur nga Berisha.
Berisha nis presionet, përgatitet për trazira
Por të gjitha këto zhvillime, tregojnë qartë se ish-kryeministri Sali Berisha dhe njerëzit e tij, po bëjnë një luftë të fortë në prapaskenë, ku synimi është mbushja e sallës së Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit të thirrur prej ish-kreut të PD, qofshin këta delegatë apo militantë.
Pra, Berisha është hedhur në sulm dhe ka nisur shantazhet, pasi kërkon që të ketë pjesëmarrje të lartë delegatësh dhe mitanësh në Kuvendin e 11 dhjetorit, sepse këtë gjë, ai do ta përdorë edhe si mjet shantazhi në publik ndaj Bashës, i cili 1 javë më pas ka thirrur Kuvendin e Partisë Demokratike.
Kështu që ish-lideri demokrat po bën çmos që të mos i dështojë Kuvendi i thirrur prej tij dhe përmes kësaj lëvizje, ai kërkon t’i dërgojë mesazhe kryedemokratit Basha, duke i treguar se ka mbështetje në PD. Mirëpo, shantazhet nuk janë e vetmja gjë që po aplikohet në prapaskenë nga njerëzit e Berishës, pasi ka sinjale se në rast se Kuvendi i 11 dhjetori rezulton i suksesshëm, ish-kryeministri më pas do të tentojë ta largojë Lulzim Bashën me dhunë nga drejtimi i selisë blu, duke qenë se ky i fundit nuk e njeh atë dhe i ka shpallur luftë atij.
Synohet largimi me dhunë të Bashës
Megjithatë sinjale se në ditët në vijim selia blu do të përfshihet nga trazira, i ka konfirmuar edhe deputeti i PD, Flamur Noka. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediet, u shpreh se Basha do të përfundojë në lumë. “Do ta hedhim në Lanë shoqatën e Lulzim Bashës.
Demokracia është vullneti i shumicës. Ramiz Alia kishte procedurat e veta dhe thoshte nënshtrohuni, por shumica ia dërrmoi procedurat fallco. Kemi vullnetin e shumicës absolute dhe kjo demonstrohet në çdo cep të Shqipërisë. Kur kemi të gjithë votuesit demokratë, kemi një detyrë të konfirmojmë këtë vullnet atë ditë (të Kuvendit)”, deklaroi Noka.