Kryeministri Edi Rama ka përmbyllur fjalën e tij në konferencën online ku mori pjesë në kuadër të “Open Balkan”.
Në fund të fjalës së tij, moderatori i konferencës e quajti Ramën “kampioni i Open Balkan” dhe kjo ka sjellë duartrokitje në parlamentin e Beogradit.
Presidentit i Serbisë Aleksandër Vuçiç mungoi gjatë takimit, pasi ndodhet për një vizitë zyrtare në Moskë. Në vend të tij është kryeministrja Ana Brnabiç dhe zv.kryeministri i Serbisë.
Në konferëncë, Rama dhe përfaqësuesi i SHBA, Gabriel Escobar kanë marrë pjesë online. Escobar tha se që kjo nismë të kishte sukses duhet të merrte pjesë në “Open Balkan” secili prej 6 shteteve.
Rama kritikon BE
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin nismën e Ballkanit të Hapur, por me kushtin që asaj t’i bashkohen të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kushti i Uashingtoni është shprehur gjatë takimit online në kuadër të Ballkanit të Hapur, mes zyrtarit të DASh, Gabriel Escobar dhe udhëheqësve të tre vendeve nismëtare, Shqipërisë, Serbi dhe Maqedonisë së Veriut.
“Mbështetja bëhet në bazë të kushteve që nisma të jetë hapur për të gjithë për anëtarësim të barabartë dhe jo të shërbejsë si shpërqendrim për rrugën europiane. Nisma nuk mund të ketë sukses pa të gjashta vendet”, deklaroi Escobar në takimin e zhvilluar online.
Shqipëria përfaqësohej në këtë takim nga Kryeministri Edi Rama, Maqedonia e Veriut nga zv.kryeministri Nikolla Dimitrov për shkak të dorëheqjes së Zoran Zaev dhe Serbia nga kryeministrja Ana Brnabiç, për shkak se Alexander Vuçiç ndodhej për një vizitë në Rusi për takim me Putin.
Në fjalën e tij, Rama i tha zyrtarit amerikan se e kanë të vështirë që të bindin tre vendet e tjera që të bëhen pjesë e nismës.
“Nuk është në dorën tonë që të bindim të tjerët. Ne duhet të ecim përpara. Secili ka marrë vendimet e veta. Ne thjesht po zbatojmë procesin e Berlinit”, tha ai.
Rama falenderoi SHBA për mbështetjen që ofron për këtë nismë, ndërsa Bashkimin Europian e kritikoi, pasi sipas tij nuk po inkurajon Kosovën, Bosnjen dhe Malin e Zi që t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”.
“BE bëhet problem kur thotë që duhet përfshirëse. Në vend që të thuhet kjo, le të inkurajojnë të tjerët të bashkohen. Me këtë qëndrim, BE është duke u dhënë të tjerëve alibinë që Europa është kundër, Gjermania është kundër Ballkanit të Hapur”, u shpreh ai.
Kryeministrja serbe e cilësoi Ballkanin e Hapur një mundësi më shumë për qytetarët e rajonit. Ajo tha se nisma do të rrisë mirëqënie e tyre në të gjitha vendet anëtare, ndërsa dështimin e saj e cilësoi një kthim pas dhe rrezik për rajonin.
Zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov e vuri theksin te nevoja që vendet e rajonit të heqin kufijtë me njëri-tjetrin.