Pasi kanë kaluar disa ditë qysh nga plasja e të ashtuquajturit “skandali i vëllait të ministrit të Brendshëm”, dhe pasi janë dëgjuar nga mbarë opinioni intervista me bashkëpunëtorin “X”, si dhe qëndrimi i gazetarit që mori përsipër gjithë të ashtuquajturin “investigim”, m’u desh të rikthen prapa në kohë për ta ri dëgjuar edhe një herë audio-përgjimin.
Aty nis e gjithë historia dhe pikërisht aty duhet të marrë udhë edhe e vërteta. Sepse, i gjithë skenari mbi atë audio-përgjim po realizohet, kurse fjalët dhe intervistat e protagonistëve janë thjesht opinione të tyre por që nuk përbëjnë provë në kuptimin e mirëfilltë të provës.
Duke qenë se tashmë gjykojmë më me gjakftohtësi për shkak edhe të materialeve më të bollshme që kemi, duke qenë se na vijnë në ndihmë edhe kundërthëniet e vetë protagonistëve, kjo na e lehtëson punën për të dhënë një gjykim më të shëndoshë, pa pretenduar se kemi zbuluar levën e Arkimedit e të thërrasim Eureka.
Audio-përgjimi nis me një pjesë hyrëse ku realizuesit e materialit janë munduar të theksojnë qysh në fillim, nëpërmjet titrave, që vëllai i ministrit të Brendshëm është i provuar se është trafikant pasi kryen lidhjen e trafikantëve të kanabisit, të cilët janë nën urdhrat e tij, me bashkëpunëtorin “X”.
Autorët kështu vënë përpara faktit të kryer gjithë opinionin publik duke e intimiduar qysh në fillim për të besuar versionin e tyre.
Jo vetëm kaq, por pretendohet që organet ligj zbatuese (që i bie policia) janë në dijeni të aktivitetet kriminal të Agron Xhafajt dhe lihet të kuptohet se ato nuk ndërhyjnë për shkak se i vëllai i tij është ministër.
Realizuesit e audios tashmë kanë marrë përsipër të bëjnë edhe vlerësimin e punës së policisë dhe këtë pyetje, të cilën duhet ta ngrinin si konkluzion në fund të materialit audio, e ngrenë qysh në fillim, me qëllim që opinioni publik të bindet paraprakisht se materiali është i vërtetë dhe këtu kemi një bashkëpunim të shtetit me krimin.]
Më poshtë materiali vijon të sqarojë se në të shkuarën (pa caktuar vitin) bashkëpunëtori “X” dhe Agron Xhafaj paskan qenë bashkëpunëtorë në trafikun e drogës. Që bashkëpunëtori “X”, i identifikuar tashmë si Albert Veliu me nofkën “Babalja” ka qenë në burg, ky është një fakt i provuar nga vendimi i dënimit të gjykatës italiane.
Që masa e dënimit, sasia e drogës, lloji i drogës dhe data e arrestimit të dhëna nga gjykata janë të ndryshme nga ato që thotë në dëshminë video Albert Veliu, kjo tashmë është e provuar. Ajo që nuk është e provuar është se në çdo rast mungon që Albert Veliu të ketë qenë bashkëpunëtor në trafikun e drogës me Agron Xhafajn. Nuk ka, deri më sot, asnjë vendim të gjykatave italiane ku të njihet ky bashkëpunim i përbashkët i tyre, qoftë direkt, qoftë indirekt.
Materiali sqaron se Agron Xhafaj nuk u interesua kurrë për bashkëpunëtorin “X” pasi ai ra në burg në Itali për drogë. Epo, përderisa nuk ka pasur asnjëherë bashkëpunim të provuar me vendim gjykate ndërmjet tyre, përse i duhej Agron Xhafajt të interesohej për një nga mijërat e të dënuarve shqiptarë në burgjet italiane?!
Në vijim materiali sqaron se “takimi mes tyre zhvillohet pasi bashkëpunëtori “X” ka dalë nga burgu, ka ardhur në Shqipëri dhe i kërkon ndihmë Agron Xhafajt t’i gjejë ngarkesë me kanabis dhe ta punësojë si skafist për të bërë një rrugë Italie, sepse ka mbetur pa para.
Rezulton e dokumentuar se Albert Veliu është ekstraduar nga Italia në Shqipëri më datë 14.08.2013 për të kryer një dënim të gjykatës së Vlorës prej 3 vitesh burgim për akuzën e trafikimit të automjeteve, vepër që e ka kryer në vitin 2008.
Në rastin më të keq Albert Veliu është liruar nga burgu më datë 14.08.2016 (nëse s’ka përfituar ulje dënimi). Materiali i publikuar nga PD thotë se takimi Veliu-Xhafaj është kryer pasi Veliu ka dalë nga burgu në Itali dhe ka ardhur në Shqipëri.
Prokurorisë i del si detyrë që të ndërlidhë, datat e arrestimit në Itali, dënimit dhe qëndrimit në burg në Itali për llogari të palës italiane, si dhe arrestimit, dhe ekstradimit nga Italia për llogari të palës shqiptare, viteve të burgut këtu dhe lirimit, me qëllim që të vërtetojë nëse takimi Veliu-Xhafaj është kryer menjëherë pas kthimit të Veliut nga Italia, apo në shkurt 2018 siç thotë Veliu në dëshminë video.
Materiali vijon të shpjegojë se si Albert Veliu lë takim me Agron Xhafajn nëpërmjet një numri telefoni, që thuhet se i përket Agron Xhafajt. Nuk harrohet të shtohet se përgjimi është ambiental ku dëgjohet vetëm zëri i bashkëpunëtorit “X”, i cili, theksohet, është duke folur me Agron Xhafajn.
Gjithashtu theksohet se me bashkëpunëtorin “X”, janë në makinë edhe dy persona pjesëmarrës në operacion. Logjikisht, duke marrë për bazë materialin, i bie që përveç Albert Veliut, në makinë është gazetari Jetmir Olldashi dhe …. shoferi i makinës. Dëshmia e këtij tjetrit që ende nuk është identifikuar, është padyshim shumë kyçe për ta bërë të besueshëm materialin.
Pasi nis të dëgjohet versioni audio i bisedës, menjëherë të bie në sy se mungon si zëri, ashtu edhe përshkrimi me fjalë i asaj çfarë pretendohet se thotë zëri përtej telefonit, pra i Agron Xhafajt.
Realizuesit e materialit janë kujdesuar ta thonë edhe me titra që ekziston vetëm zëri i bashkëpunëtorit “X”, por mungesa e zërit tjetër është një handikap shumë i madh. Gazetari Jetmir Olldashi ka pranuar se ka shkuar enkas në Vlorë të realizojë investigimin dhe kur ndërmerr një hap të tillë, duhet të kesh edhe mjetet e nevojshme për të provuar akuzën që bën.
Zëri i supozuar i Agron Xhafajt përtej telefonit, mund të dëgjohej duke përdorur opsionin vivavoce të celularit, ose thënë më thjesht, aktivizimi i zërit nëpërmjet altoparlantit të celularit që e bën zërin të dëgjueshëm për të gjithë personat përreth.
Mungesa e zërit mund të ndodhte vetëm nëse investiguesit do kenë përdorur ndonjë version të vjetër celulari, psh. Nokia 3310. Nëse Albert Veliut, i vetëquajtur injorant nga fusha e teknologjisë i lejohet, kjo nuk mund të thuhet për një investigator të regjur si Jetmir Olldashi që kishte shkuar në Vlorë enkas për këtë punë. Apo, meqë ai nuk ka asnjë investigim në jetën e tij gazetareske, i pranohet edhe një amatorizëm i tillë?!
Albert Veliu gjatë bisedës telefonike që pretendon se po e bën me Agron Xhafajn thotë se ishte andej nga “Toto qorri” dhe aty i paskan thënë se Agron Xhafaj ishte larg, përndryshe do e kish marrë Agron Xhafajn për një drekë.
I dashur Albert! Nuk ka fyerje më të madhe që ti i ke bërë Agron Xhafajt me këtë që thua. Po si është e mundur që koka e trafikut të drogës së Vlorës, një BOSS që ka në dorë një qytet të tillë, të pranojë të ulet të hajë e t’ia paguajë drekën një pabuks pa kokërr leku në xhep si ti?!
Kjo e bën Agron Xhafajn një njeri me modesti të tepruar. Por, nga dëshmia e Jetmir Olldashit, rezulton se telefonata është bërë pasi Alberti ka dalë nga lokali i Agron Xhafajt. I bie që që ky Toto qorri duhet të jetë ndonjë kamerier ose menaxher në lokalin e Agronit.
Gazetari Jetmir Olldashi thotë që Alberti nuk e gjeti në lokal Agron Xhafajn dhe pas kësaj shkon tek makina ku ndodhet gazetari dhe bën bisedën e mësipërme. Pas bisedës telefonike gazetari thekson se Alberti u rikthye në lokal për të bërë bisedën me Agronin.
Nga materiali i audi-përgjimit thuhet se Agroni ndodhej larg dhe, siç duket, pas telefonatës me Alberin ai ka nxituar me shpejtësi skëterrë për të bërë takimin me të. A thua se këtij BOSS-i të madh droge i kishin shteruar trafikantët dhe mezi priste t’i vinte dikush që ishte i gatshëm të bashkëpunonte me të.
Në vijim, audio-përgjimi merret me fjalët hyrëse përshëndetëse të bashkëbiseduesve duke i thënë njëri-tjetrit ”se si e qysh je, ça bëre ndonjë gjë, e ku secili i thotë tjetrit: mirë” Këto fjalë se si je me shëndet e se si i kanë familjet i përsërisin kaq shpesh gjatë bisedës së supozuar midis tyre, saqë është e habitshme se si ky Agroni, që kuptohet që ka vite që nuk e takon Albertin, qenka treguar kaq sylesh saqë në takimin e parë pas kaq vitesh, i beson atij trafikun e drogës.
Më tej Albert Veliu i thotë të pretenduarit si Agron Xhafaj “Dëgjo ore, se për atë muhabetin që të mora në telefon, po puna është që…”. Që në telefon u fol vetëm për të ngrënë një drekë, por që s’u realizua ngaqë Agroni ishte larg, kjo tashmë dihet.
Por që edhe realizuesit e audio-përgjimit e instruktojnë Albertin të mos e përfundojë fjalinë duke i vendosur një “qëëëë” të zgjatur në fund të fjalisë se gjoja aty ndërhyn në bisedë Agroni, kjo kuptohet ashiqare që është inskenim. Albert Veliu vijon duke thënë se: “ja erdha për atë që të thashë, për të bërë rrugën”. Me falni, po në cilën bisedë ia ka thënë më përpara këtë çështjen e rrugës. Po ma gjeti kush se ku e ka thënë, unë i kërkoj ndjesë Albert Veliut.
Biseda vijon më tej me zërin e supozuar të Agronit i cili thotë se: “do të çoj unë te Ermali ore, është shoku im i ngushtë”. Sipas dëshmisë video të Albert Veliut, ky Ermali është një shef kufiri.
Por nga biseda audio ai del si një trafikant i rëndomtë, një furnizues më hashash i çdo trafikanti dhe që merr urdhra nga Agroni. Ndonëse në audio-përgjim del se Alberti e njeh Ermalin pasi nuk i kërkon Agronit shumë të dhënë rreth tij, në rrëfimin video e kupton fare lehtë që Alberti nuk ia ka haberin fare rreth këtij Ermalit.
Realizuesit e audio-përgjimit janë munduar që të nxjerrin një Agron shpirtbardhë, që këtë nder Albertit po ia bën për herë të parë dhe të fundit njëkohësisht, pasi, siç thuhet në audio, këta plehrat po e sulmojnë, atë dhe të vëllanë ministër.
Nga biseda audio, ka diçka që nuk shkon, pasi më shumë është zbërthyer Agroni me vullnet të lirë, se sa Alberti që duhet të bënte provokatorin me pyetje tendencioze. Këtu na del një Agron naiv deri në kufijtë e budallallëkut dhe një Albert hipnotizues që e çarmatos bossin e drogës pa ia kërkuar këtë.
Ndërkohë që nga biseda duket sikur Alberti mezi pret të iki që aty, Agroni vijon të mbajë me muhabet Albertin duke i thënë se është duke u sulmuar nga plehrat, jo vetën ai por edhe i vëllai; përmend se edhe ata në Itali janë zbërthyer komplet.
Pyetja që lind është: Cilët janë këta që qenka zbërthyer? A ka Agron Xhafaj çështje penale trafiku droge me Italinë kohët e fundit ku të jenë arrestuar bashkëpunëtorë të tij? Se për çështjen e vjetër për të cilën ka marrë dënim, nuk mund të thuash që janë zbërthyer ata në Itali, se nuk ka arsye të zbërthehen kur ata janë zbërthyer njëherë përpara 16 vitesh.
Në përfundim materiali që paraqiti PD-ja tregon me titra se si bashkëpunëtori “X” ndoqi rrugën që i tregoi Agron Xhafaj, bleu drogën tek trafikantët dhe në të gjithë këtë itinerar, nuk i ndoqi policia. Nga gjithë materiali audio, nuk rezultoi në asnjë moment që zëri i supozuar i Agron Xhafajt t’i ketë treguar rrugën Albert Veliut
Trafikanti tek i cili ai ka blerë drogën i bie të jetë Ermali, “shefi i kufirit” që qenka edhe shok i ngushtë i Agronit. Jetmir Olldashi ka thënë se ka edhe materiale të tjera dhe me këtë unë kuptoj që aty duhet të ketë të filmuar momentin kur trafikanti Ermal i dorëzon hashashin të interesuarit Albert Veliu, me shumë gjasë, në Tragjas të Vlorës, sipas dëshmisë së Jetmir Olldashit.
Vetëm se i kërkoj të nderuarit gazetar që fytyra e Ermalit të jetë e dukshme dhe e identifikueshme. Sepse, sot është shumë e lehtë të inskenosh me kamera dikë që të dorëzon një sasi hashashi dhe t’i të thuash se ai është Ermali, shoku i Agron Xhafajt.
Ashtu siç është shumë e lehtë që të inskenosh me anë të teknologjisë edhe skena audio me biseda të fabrikuara, ku fjalitë nuk përfundojnë kurrë dhe ku me titra nxjerr konkluzione për bashkëbisedues të cilët nuk i kanë thënë kurrë me zë ato që materiali i thotë më shkrim.
Që deputeti Ervin Salianji është pjesë e kësaj loje këtë e thotë më zë e figurë edhe gazetari Jetmir Olldashi. Që ky i fundit u përfshi në këtë skenar, dyshoj se ka ndodhur vetëm për shkak të statusit të tij si gazetar, me qëllim që në përfundim të hetimeve palët që e kanë stisur të dalin të pa lagura dhe prokuroria ta ketë të vështirë të dënojë dikë që pretendon se ka statusin e gazetarit.
Natyrisht, edhe unë po hedh hipotezat e mia, sepse janë organet kompetente ato që do e zbërthejnë gjithë këtë mesele. Shpresoj që qoftë edhe këto hipoteza e pikëpyetje të mia të ndihmojnë sadopak në zbardhjen e së vërtetës, por me kusht që fajtori/ët, i cilitdo krah qoftë dhe çfarëdolloj statusi të ketë, të shkojë aty ku e ka vendin, në burg!