Si ka mundësi që, pikërisht, në zyrat politike të dhunuesve të dikurshëm të gazetarëve që janë edhe tutorë të Kartelit të Drogës së Lazaratit, gazetari investigativ, pasi interviston “bashkëpunëtorin X”, ia beson punën e tij të mundimshme dhe me rreziqe këtyre zyrave?!!!
Shkruan Viktor Malaj
Pasi kemi parë dhe dëgjuar dy video të ofruara publikut shqiptar dhe atij të huaj nga një tufë mëkatarësh politikë dhe ordinerë, besoj se tani jemi në gjendje të arrijmë në disa përfundime më të qarta rreth çfarë mund të ketë ndodhur, çfarë mund të jetë sajuar dhe çfarë dëshirohet të arrihet me këtë “aferë”. Pas lumit të akuzave dhe sajesave kundër Ministrit të Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, diskutimi kryesor tani vërtitet rreth faktit nëse audiokaseta e shfaqur është apo jo e vërtetë, origjinale dhe e pamanipuluar apo e kundërta.
Nëse ekspertimi përkatës, për të cilin unë mendoj se përfundimisht i duhet besuar laboratorit dhe ekspertëve të FBI-së amerikane, konkludon se audioregjistrimi është i manipuluar, atëherë nuk mbetet shumë vend për diskutime. Manipuluesit dhe keqpërdoruesit shkojnë në burg dhe mbyllen llogaritë.
Mendoj se diskutimet duhet të vërtiten rreth problemit duke e paragjykuar audioregjistrimin si të vërtetë dhe të pamanipuluar.
Nëse e marrim këtë të mirëqenë, atëherë na del se: një parti politike në Shqipëri, për qëllime politike, merret me përgjime dhe përdor trafikantët e drogës dhe hajdutët e rrugës si aleatë në përpjekjet e saj për të ardhur në pushtet nëpërmjet kaosit; një gazetar shqiptar e përdor profesionin e tij si mjet shërbimi politik për opozitën për qëllime që i di ai më mirë se ne.
Kontradiktat dhe pasaktësitë që karakterizojnë dëshminë e Babales (alias Albert Veliu), ashtu edhe ato midis dëshmive të tij dhe atyre të gazetarit Olldashi, si dhe përdoruesve të aferës në fjalë janë të qarta dhe me domethënie të lexueshme. As gazetari dhe as Babalia, siç pritej, nuk thonë të vërtetën. Gazetari, pasi merr përsipër audio dhe videoregjistrimet, përpiqet të bindë opinionin se kjo ka qenë thjesht pjesë e punës së tij si “gazetar investigativ” dhe jo se këtu ka një gjë të kurdisur dhe të menaxhuar nga PD dhe se Olldashi dhe Babalia janë thjesht vegla në arritjen e një qëllimi politik.
Megjithëse deri tani nuk kemi dëgjuar për ndonjë “zbulim” të gazetarit Olldashi i cili paska 16 vjet që merret me këtë punë, mungesa e integritetit të tij profesional dhe moral vihen në dyshim serioz nga fakti se: nuk tregon kush, si dhe kur i telefonoi të shkonte të takonte “të penduarin” Babale; përse përmbajtjen e audioregjistrimit nuk e paraqiti ai drejtpërdrejt në TV apo median onlajn, por ia dha atë një force politike?
Nëse është gazetar i përkushtuar në zbulimin e të vërtetës dhe dënimin e keqbërësve, përse nuk e dërgoi kasetën në zyrat e prokurorisë, por në ato të partisë? Çfarë nevoje pati të dilte në konferencë shtypi dhe të kërkonte mbrojtjen “e kolegëve” të cilët u treguan të gatshëm “me dhanë jetën” për të? A mos të gjitha veprimet dhe lëvizjet e “gazetarit investigues” kanë qenë dhe janë të komanduara nga ata që, kur ishin në pushtet, kanë rrahur, plagosur dhe burgosur gazetarë dhe janë shpallur “armiq të lirisë së shtypit” nga institucionet ndërkombëtare të lirisë së shtypit? Si ka mundësi që, pikërisht, në zyrat politike të dhunuesve të dikurshëm të gazetarëve që janë edhe tutorë të Kartelit të Drogës së Lazaratit, gazetari investigativ, pasi interviston “bashkëpunëtorin X”, ia beson punën e tij të mundimshme dhe me rreziqe këtyre zyrave?!!!
Sa i përket aleatit të PD-së “në luftë kundër krimit”, trafikantit Babale: Duket qartë që personi në fjalë është një individ pa shumë intelekt, me personalitet të deformuar, i keqpërdorur por edhe i keqinstruktuar nga “padronët” e tij. Kontradiktat në intervistën e dhënë prej tij janë të qarta dhe të tjerë kolegë gazetarë i kanë evidentuar. Këto kontradikta nuk shprehin thjesht intelektin e kufizuar të autorit por tregojnë qartë që asgjë nuk është bërë me iniciativën e tij dhe as për motivet e rreme që atij i kanë thënë të tregojë në rast se “vjen puna keq”.
Motivi i zgjedhur (nga tutorët dhe keqpërdoruesit e tij) për t’i bërë keq Agron Xhafajt nuk është fare i besueshëm. Është e pamundur që dikush të përpiqet të dërgojë në burg dikë tjetër vetëm pse nuk i ka sjellë një paketë cigare kur vuante dënimin në Itali, aq më pak që Babalia e ka ditur se, edhe sikur ta kishte pasur vëlla, Agron Xhafaj nuk mund të shkonte ta takonte në Itali pasi i ishte hequr e drejta rihyrëse në Itali nga autoritetet italiane.
Përveç sa më sipër, Babalia pranon se në të dy rastet që iu drejtua A. Xhafajt për ndihmë (për të punësuar djalin si kamerier dhe për “të kaluar ca barishte në Itali”) ai e kishte ndihmuar. Madje, thotë se “mua më bëri favor, m’u përgjigj, u tregua korrekt…”. Dhe këtu ka rënë çdo shkak për armiqësi midis tyre. Nëse A.Veliu (Babalia) po synonte ta provokonte dhe dëmtonte Agron Xhafajn, si është e mundur që ai as s’e regjistroi dhe, madje, as e di se e kishin regjistruar bisedën midis tyre. Atëherë, si do ta dëmtonte Agronin?
Pasi bie motivi i rremë, bien me radhë edhe “argumentet” e tjera të ofruara publikut. Një herë thotë se gjithçka e bëri nga hatërmbetja ndaj Xhafajt dhe se nuk donte dhe as pranon të merret më me të tillë veprimtari kriminale, por, më pas, harron dhe pohon se i bleu “barishtet” me para borxh (kush është ai zemërgjerë që i jep 20-25 mijë euro borxh një të papuni, pijaneci dhe ish-të dënuari për drogë e vjedhje që me shumë gjasa mund të rikapet dhe përfundojë në burg?).
Edhe pohon se e provokoi Agronin por edhe se e bleu mallin dhe vetëm dallgët e mëdha e penguan ta dërgonte në Itali. Albert Veliu, pasi hiqet se nuk di gjë për regjistrimin e bisedës dhe, madje, “çuditet” kur pronari i restorantit ku punonte i biri i thotë se ia kishin dëgjuar zërin në TV, pa droje (dhe nga budallallëku) pohon se “Unë e solla këtu (tek selia e PD) kasetën se këtu është institucioni më i besuar…”.
Të gjitha sa u thanë më sipër të çojnë në përfundimin se “afera” është ideuar nga i pashtershmi për të sajuar dhe shpifur Sali Berisha. Mëkatarët që i shërbejnë atij, pasi kanë “thyer” trafikantin Babale, kanë përdorur gazetarin Olldashi për të realizuar një arftific me qëllim që ta përdorin si mjet në luftën politike. Këtë e tha pa droje vetë Saliu që pohoi se “Vëllain e Xhafës e kemi përgjuar me kujdes”. Ky pohim nuk lë më hapësirë për të diskutuar, sepse shprehe thelbin: Ne (partia opozitare) jemi organizatë apo institucion përgjimesh. Sigurisht që një veprimtari e tillë është antikushtetuese, por Saliu nuk merakoset për Kushtetutën, as për ligjet kur interesat e tij kufizohen prej tyre.
Qëndrimet dhe sjelljet e tij janë të njohura botërisht dhe shqiptarët s’kanë pse ta vrasin mendjen për të përfytyruar se çfarë kanë bërë këta kur ishin në pushtet. Jemi dëshmitarë të mjaft bëmave dhe gjëmave të tij. Por është logjike të pranojmë se ato që njohim, për shkak se i ka kryer botërisht, janë shumë më pak nga ato që ai dhe çeta e tij kanë bërë praktikisht. Gjithashtu është e kuptueshme se ç’mund të bëjnë po t’iu jepet pushtet sërish, sepse është e njohur natyra e përsëritësve në krim.
Duke e marrë audioregjistrimin si të vërtetë, le të shohim si qëndron pozita e Agron Xhafaj. Në regjistrimin që na u shërbye nuk përmendet askund emri Agron Xhafaj nga bashkëbiseduesi.
“Dëshmitari X” i kërkon tjetrit ndihmë për “të bërë një rrugë”. Në audioregjistrim nuk thuhet se për ku është pika fundore (destinacioni) dhe as emri i “mallit”. Edhe po ta marrim të mirëqenë se bëhej fjalë për drogë, bashkëbiseduesi i “dëshmitarit X” nuk merr vetë asgjë përsipër dhe as bën pazare dhe as kërkon “pjesë”. Madje, reagimi i tij duket sikur thotë: “Mua s’më ke për këto punë por shko tek shoku im i ngushtë se ai të ndihmon…”. Bazuar vetëm në këtë audioregjistrim, “i akuzuari” shfaqet më shumë si “bamirës” sesa si trafikant droge dhe do të ishte thuajse e pamundur të dënohej nga ndonjë gjykatë e paanshme bazuar vetëm në këto sa dimë.
Regjisorët e “aferës” dhe përdoruesit e saj kanë pasur shpresë se me këtë artific do të arrijnë ato synime politike që nuk kanë mundur t’i arrijnë nëpërmjet proceseve zgjedhore dhe demokratike. Fakti që e mbajtën audioregjistrimin për 5-6 muaj dhe e përdorën vetëm tani, pak javë përpara se vendet e BE-së të vendosin për hapjen ose jo të bisedimeve për pranimin e Shqipërisë në këtë federatë shtetesh, është shumë domethënës për të gjithë ata që janë të pajisur me arsye dhe të zhveshur nga ligësia.
Fushata intensive, e nisur para disa muajve dhe e kulmuar tani nga opozita kryesore politike ka si synim paraqitjen e Shqipërisë si një vend të cilit nuk i duhet hapur drita jeshile për negociata. Pohimet e Lulzim Bashës se “Nuk ka BE me qeveri mafioze” dhe se “Qeveria është organizatë e strukturuar kriminale me familjen Xhafaj që kontrollon trafikun e drogës” nuk duan shumë vramendje për të kuptuar cili është objektivi i lulushëve. Kur publikisht shprehet se si mundet BE të pranojë një shtet të tillë në gjirin e saj, merret me mend se çfarë ka llomotitur ky përfaqësues autentik i mashtrimit dhe ligësisë gjatë vizitave të tij nëpër shtetet evropiane. Shtoji kësaj edhe dërgimin e audiokasetës (së bashku me “shpjegimet” përkatëse) qeverive evropiane dhe tabloja del e qartë.
Fushatës propagandistike të opozitës politike i kanë ardhur në ndihmë edhe disa juristë dhe analistë që bredhin nga njëra studio televizive në tjetrën për të bindur shqiptarët se ndodhemi përpara një të vërtete të padiskutueshme dhe një rreziku eminent nga “qeveria e krimit”, por nuk duhet të dëshpërohen sepse “shpëtimtarët” i kemi pas dere duke pritur të vijnë në pushtet. Nëse opozita kryesore politike nuk të bën shumë përshtypje pasi dihet kush janë e çfarë përfaqësojnë, ajo që të çudit pa masë është mungesa e madhe e dinjitetit personal dhe integritetit profesional të disa juristëve të cilët, jo vetëm bëjnë keqinterpretime juridike në studiot televizive, por edhe fshehin ose trillojnë fakte të ndryshme.
Megjithëse ndaj Agron Xhafës nuk ka pasur as shpallje në kërkim dhe as kërkesë për ekstradim nga Italia, këta juristë të batakut dhe çanakut ose shprehen se duhej t’ia kërkonte shteti shqiptar Italisë ta shpallte në kërkim ose vetë policët shqiptarë duhej t’i kishin vënë prangat Agron Xhafajt, edhe pse nuk e kishin në listat e personave në kërkim. Po të ishin të vërteta pohimet e tyre apo pohimi i të instruktuarit Albert Veliu se “Agroni atë punë ka bërë tërë kohën, jo vetëm me mua, por mund ta ketë bërë edhe me shumë të tjerë” (vini re: mund), atëherë arsyeja kërkon të pyesësh: Meqë Agron Xhafaj është marrë me drogë qysh në 2002 kur e kthyen nga Italia, përse nuk e gjurmoi, arrestoi dhe akuzoi PD për tetë vjet që ishte në pushtet (2005-2013)?
Nëse është, siç po u bien lodrave, se shteti shqiptar e kishte detyrë t’i kërkonte Italisë shpalljen e Xhafës në kërkim dhe, madje, ta arrestonte edhe pa qenë në kërkim, atëherë këtë duhet ta kishte bërë vetë PD vitin e kaluar, kur në krye të dy ministrive, atë të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme kishte dy njerëz të saj, njëri prej të cilëve ishte Bardhi që sot është këshilltar juridik i saj?
Akoma më të turpshme janë pallavrat e këtyre juristëve që bien në nivelin e Flamur Nokës apo Salianjit, duke pohuar se ka qenë Fatmir Xhafaj që ka ndryshuar nenin 491 për ekstradimet për të mbrojtur të vëllanë, megjithëse e kanë të qartë se: neni në fjalë përputhet me legjislacionin ndërkombëtar që lidhet me ekstradimet dhe të drejtat e njeriut; që misionet evropiane këshilluese e pohuan se ishte pjesë e versioneve të ligjit; se ligjin e kanë miratuar jo vetëm pozita, por edhe opozita dhe, çfarë është shumë e rëndësishme, ai nen nuk do ta shpëtonte Agron Xhafën sapo të kërkohej ekstradimi i tij nga Italia ngaqë Xhafaj ka qenë i përfaqësuar në gjyq me avokatin e tij ndërsa neni në fjalë favorizon ata që s’kanë pasur fare dijeni për procesin.
Prokuroria duhet të bëjë një hetim të hollësishëm dhe, nëse provohet se Agron Xhafaj merrej me trafik droge, duhet të ngrejë padi penale për të dhe për Veliun.
Disa nga juristët dhe analistët në fjalë ranë dakord, më në fund, se Fatmir Xhafaj nuk ka shkelur asnjë ligj, por problemi shtrohet në aspektin e përgjegjësisë morale. As Fatmir Xhafaj dhe as ne të tjerët nuk do të dëshironim të kishim një ministër që ka një vëlla me precedent penal. Por, nëse ky është një kriter atëherë kriteret morale dhe ligjore ose duhet të jenë të njëjtë për të gjithë ose nuk janë më kritere. Edhe unë jam dakord që Fatmir Xhafaj të dorëhiqet (jo për çfarë ka bërë i vëllai para gati 20 vjetësh) nëse provohet se i vëllai është marrë me tregtim lëndësh narkotike këto vitet e fundit.
Mirëpo, dakordsia ime e ka një kusht “të vogël”: I ftoj të gjithë juristët, analistët, banalistët, dixhitalistët dhe “idealistët” hipokritë t’i kërkojmë Xhafës të tërhiqet nga politika meqë i vëllai ka shkelur ligjin për drogën, domethënë trafikant i saj, por këtë ta bëjë vetëm tridhjetë minuta pasi ta kenë deklaruar tërheqjen përfundimtare nga politika Sali Berisha, Lulzim Basha, Bujar Nishani dhe gjithë shqytarët e tyre politikë e mediatikë pasi nuk ka arsye të shëndoshë të pranojë që Xhafa të ikë në shtëpi për t’u zëvendësuar nga ata që lejimin e prodhimit dhe tregtimit të drogës e kanë pasur politikë shtetërore (e kanë pohuar vetë) dhe gjatë kohës që drejtonin MPB Karteli i Drogës së Lazaratit përdorte makinat zjarrfikëse shtetërore për ujitjen e bimës “magjike” të drogës.
Nuk mund të pranohet që dikush të paguaj gabimet dhe fajet e fisit, ndërsa të tjerë nuk paguajnë për krimet që kanë kryer. Dhe pikërisht janë këta që s’kanë paguar për krimet e veta që po na shiten si kalorës të ligjit dhe apostuj të moralit. Këta kalorës të vrerosur dhe apostuj të rremë kanë shkuar aq larg në aventurën e tyre saqë besojnë se do të shkaktojnë kaos politik e shoqëror për të ardhur në pushtet me ndihmën e trafikantit të drogës dhe hajnit të rrugës Albert Veliu, të cilin vlonjatët e njohin dhe e thërrasin Babale.
Kategorinë e të përmendurve i ka verbuar aq keq qëllimi (rrëzimi i qeverisë) sa duken të pavetëdijshëm për mjetet që përdorin. Me çka pohojnë, në fakt, padashur po i thonë opinionit se Babale pafillja është më i vlefshëm për rrëzimin e qeverisë se Berisha, Basha dhe krejt Këshilli Kombëtar i PD-së. As më pak, as më shumë këtë na thonë tërthorazi edhe liderët opozitarë.
Të përdorësh si aleat politik kundër pushtetit një trafikant droge dhe të pretendosh se po lufton me kauzën e luftës kundër drogës është sa qesharake, aq edhe vetëdiskredituese. Është po aq diskredituese sa ç’ishte thirrja dhe pranimi si aleatë në Çadrën e vjetshme të Bulevardit të disa trafikantëve të drogës dhe Tatë tutorin nga Shkodra me dy prostituta që me njërën dorë tundnin flamurin e Republikës së Re dhe me tjetrën flamurin e Dekriminalizimit.
Deri aty ka arritur marrëzia e sajuesve të aferës “Xhafa” saqë e kishin instruktuar Babalen të thoshte: “Unë di që jam njeri i drejtë… E solla kasetën këtu (në selinë e PD-së) sepse këtu është institucioni më i besuar… Këtu kam besim se luftohet gjithçka me drejtësi…”. Neve të tjerëve nuk na mbetet rrugë tjetër, veçse të bindemi se morali u Babales përputhet plotësisht me atë të kupolës së PD-së. Pa bërë pyetjen se kush është më pafille Babalja apo ata që e përdorin si bashkëpunëtor herë si “të penduar”, herë si biznesmen e herë si të mjerë pa një lek në xhep, le të besojmë se udhëheqësit e PD dhe bashkëpunëtori i tyre Albert Veliu janë bërë njësh, shumë trupa dhe një shpirt që po luftojnë për të vërtetën, të drejtën, demokracinë dhe moralin.
Këta horrat që heshtnin kur prodhohej e tregtohej droga e Lazaratit dhe zgërdhiheshin kur dhunoheshin, burgoseshin apo vriteshin njerëz në bulevard, tani bëjnë thirrje për ” Revoltë si e Spaçit ” dhe pretendojnë të bëhen përfaqsues të ” viktimave të drogës “, sigurisht duke përjashtuar viktimat e drogës së qeverisjeve të tyre.
Nënkryetari i PD-së Edi Paloka tha se “Shqiptarët nuk mund të pranojnë më të qeverisen nga krimi. Të mblidhemi më 26 maj sepse duam një qeverisje të ndershme”. Njëjtë si Babalja që tha se ishte i drejtë dhe i ndershëm. Mirëpo shqiptarët nuk harrojnë se, si për ironi të fatit, në po të njëjtën datë 22 vjet më parë, Ati politik dhe shpirtëror i Palokës dhe gjithë paloqeve që ulërijnë sot për moral e drejtësi, me ndihmën, frymëzimin, miratimin dhe gëzimin e po kësaj skote hipokritësh politikë, pati dhunuar zgjedhjet e përgjithshme politike që nuk u njohën nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Këta pra, që patën kryer këtë krim dhe dhjetëra të tjerë si: rrahjen e deputetëve e gazetarëve, burgosjet politike, vrasjet e protestuesve të pafajshëm në po këtë vend, na bëjnë tani thirrje t’i përkrahim në luftën e tyre për “qeverisje të ndershme” nën mbikëqyrjen e babaleve. Duhet të jesh ose krejt i paditur, ose të mos kesh respekt për veten që të besosh dhe ndjekësh nga mbrapa këtë tufë mashtruesish, regjimin e të cilëve shtypi anglez e pati quajtur në mars 1997 “Regjimi i Gangsterëve që ne Financojmë”. Janë po të njëjtët individë, i njëjti moral, i njëjti formim dhe karakter.
Po, unë dëshiroj një qeverisje shumë më të mirë dhe jam pro ndërrimit të pushteteve me votime kushtetuese por nuk mund t’ia lejoj vetes që të miratoj zëvendësimin e një qeverie të ardhur në pushtet me proces kushtetues votimesh, ndonëse kjo qeverisje nuk më kënaq sa duhet, me një grup individësh politikë që duhej të kishin qenë me kohë subjekte të ndjekjes penale për shkak të “krimeve të tmerrshme që kanë kryer pas 1990” (Donald Lu) dhe, aq më pak, me ardhjen e tyre në pushtet me artifice politiko-ordinere, me rrëmujë, imponim, dhunë dhe kaos.
Thirrja e grumbullimit të njerëzve në 26 maj në Tiranë dhe tentativat për rrethime të Kryeministrisë, nën maskën e luftës për “qeverisje të ndershme” nga pjesa më e inkriminuar e politikës shqiptare, nuk është gjë tjetër veçse mesazhi më i qartë që iu dërgohet pjesës mosbesuese të politikës evropiane për të refuzuar hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE.
Unë kam besim të plotë se, pavarësisht një kalbëzimi të dhimbshëm moral të një pjese të shoqërisë shqiptare dhe pavarësisht pakënaqësive të arsyeshme ndaj qeverisjes aktuale, pjesa më e shëndoshë dhe më e përgjegjshme e “popullit opozitar” do t’i braktisë mashtruesit dhe manipuluesit e ndjenjave dhe nevojave të shqiptarëve në aventurën e tyre të turpshme dhe shumë të dëmshme. Jo të dëmshme për Edi Ramën dhe Qeverinë por për popullin dhe Shqipërinë.
Po të mos ishte kështu, të eturit për pushtet dhe të tremburit nga ndëshkimi i mëkateve të tyre do ta kishin shtyrë shfaqjen e sjelljes banditeske dhe antihistorike për pas disa muajve, kur të përfundonte procesi i vlerësimit evropian. Prandaj thirrjes së tyre ” Ta largojmë qeverinë e lidhur me krimin ” shumica e shqiptarëve duhet t’i përgjigjen: ” Po, por jo për ta zëvendësuar me ata që janë krimi vetë !”.
Megjithatë, “Koha është e maskarenjve, por Shqipëria e shqiptarëve ” (Ali Asllani).