Investimet e Huaja Direkte shënuan përsëri rritje në tremujorin e tretë të vitit. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ato arritën në 251 milionë euro, 3.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e tremujorit të tretë e përmirësoi më tej bilancin progresiv vjetor. Për 9-mujorin 2021, Shqipëria ka thithur Investime të Huaja Direkte në vlerën e 711 milionë eurove, në rritje me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Deri në fund të 6-mujorit, rritja kishte qenë 0.65%.
Pothuajse gjysma e investimeve të huaja në tremujorin e tretë të vitit ishin fitimet e riinvestuara. Vlera e tyre arriti në 118 milionë euro, 39% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në vazhdimësi gjatë viteve të fundit, vërehet një kontribut i lartë i këtij zëri të investimeve të huaja direkte. Fitimet e riinvestuara të investitorëve ekzistues për gjithë 9-mujorin arritën në 353 milionë euro ose afërsisht sa 50% e investimeve të huaja direkte për periudhën.
Fitimet e riinvestuara kanë kompensuar një pjesë të rënies së flukseve të reja investuese nga jashtë dhe pasha e tyre e lartë është karakteristike në degë ku kërkohen investime të konsiderueshme periodike, si në industrinë nxjerrëse, por edhe në disa sektorë të shërbimeve. Një nga faktorët që shpjegon ruajtjen e niveleve të larta të investimeve të huaja direkte është pikërisht kontributi i investitorëve ekzistues.
Struktura e investimeve të huaja direkte sipas sektorëve është e disponueshme deri në mesin e vitit 2021. Për 6-mujorin e parë të këtij viti, industria nxjerrëse ishte sektori që ka tërhequr më shumë investime të huaja, me 95 milionë euro ose 20% të totalit. Flukset në këtë sektor konsistojnë kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto.
Këtë vit çmimet e naftës bruto kanë ardhur në rritje, duke ndjekur ciklin e përmirësimit të ekonomisë botërore pas goditjes së rëndë dha pandemia vitin e kaluar. Duke pasur parasysh se rritja e çmimeve ka vijuar më tej edhe në tremujorin e tretë, pritet që kjo të ketë nxitur nivele të larta të investimeve të huaja në këtë sektor edhe në vazhdim.
Rritje të ndjeshme në gjysmën e parë të vitit shënuan edhe investimet në aktivitete të pasurive
të paluajtshme. Investimet në këtë sector kanë arritur vlerën e 80 milionë eurove, në rritje vjetore me 186%. Rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme duket se po tërheq jo vetëm investimet vendase, por edhe kapitalet e shtetasve të huaj.
Këtë vit po shënohet një tendencë e rikthimit të investimeve të huaja në sektorë strategjikë, si bankat dhe telekomunikacionet. Në fillim të muajit dhjetor, grupi hungarez OTP njoftoi arritjen e marrëveshjes për blerjen e Alpha Bank Albania për 55 milionë euro. Për OTP, kjo ishte blerja e dytë në tregun bankar shqiptar brenda tre vitesh.
Për gjysmën e parë të këtij viti, sektori financiar ka tërhequr investime në vlerën e 76 milionë eurove, në rritje me 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pas ditë më vonë, edhe kompania tjetër hungareze, 4iG, njoftoi arritjen e marrëveshjes për blerjen e operatorit më të madh të shërbimeve fikse të komunikimit në vend, Albtelecom.(Monitor)