Një medalje ari dhe dy argjendi, ky ishte rezultati i Briken Caljas në kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Uzbekistan. Sportisti nga Shtërmeni i Elbasanit ia doli të ngrejë 156 kilogram në shtytje, duke humbur për një kilogramë titullin kampion edhe në dygarësh.
Tashmë Calja është kthyer në atdhe, duke u pritur nga dhjetra dashamirës. Për Supersport, peshëngritësi dhe kampioni shqiptar tregoi emocionet e garës dhe objektivin e radhës.
Një arritje e jashtëzakonshme. Si ndiheni?
Jam shumë i lumtur, pasi ishte një rezultat historik, me një medalje ari dhe dy argjendi, që vijnë për herë të parë për Shqipërinë. Normalisht, kjo ishte dita e shqiptarëve dhe ndihem shumë mirë.
Çfarë mendove kur po garoje dhe arrite këtë rezultat?
Mendova gjithë sakrificat që kam kaluar, karrierën time, familjen time dhe njerëzit me të cilët punoj, por edhe njerëzit që më kanë mbështetur, të cilët edhe i falenderoj.
Jeni bërë idhull i shqiptarëve falë mundit dhe sakrificës tuaj?
Padiskutim, dhe kur mendoj sakrificat, më vjen shumë mirë që më janë shpërblyer, megjithatë të shohim përpara.
Cili është objektivi i radhës?
E vetmja gjë që më ka mbetur pa u realizuar, është të marr një medalje olimpike, që shpresoj ta arrij.
Ju dhemb fakti që nuk ia dolët në provën e fundit?
Padiskutim që po, pasi aty ishte medalja e artë në dygarësh dhe njëkohësisht rekordi europian, por sporti e njeh edhe dështimin.
A ishte kaq i fortë kundërshtari?
Sigurisht që po, pasi është medalist olimpik dhe doli i treti në Lojërat Olimpike, madje edhe atje ma mori po me një pikë, por ky është sporti.