Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar unanimisht rezolutën, e cila u propozua një ditë më parë nga kryetari i PD-së dhe dënon lëvizjen dhe veprimet të ndërmarra nga ish kryeministri Sali Berisha.
Në rezolutë përfshihet shkarkimi i kreut të Këshillit Kombëtar Edi Paloka dhe i gjithë personave që morën pjesë në Kuvendin e djeshëm të organizuar në “Air Albania”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar ndër të tjera se ka qenë zotimi i tij i parë si kreu i kësaj force politike që nuk do të ketë kurrë përjashtime të propozuara nga ai dhe se nuk mban njerëz me forcë.
Mësohet se Basha ka deklaruar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar se masat e marra mbrëmë nga kryesia dhe masat e propozuar sot, nuk janë masa përjashtimi, por shkarkim nga funksionet. Kjo sipas tij për shkak të dhunimit flagrant të statutit, duke sjellë pasoja për PD.
“Ka qenë zotimi im i parë si kryetar i PD-së që s’do të ketë kurrë përjashtim të propozuar nga unë. As unë e as ju nuk mbajmë njerëz me forcë. Ndaj dhe masat e marra mbrëmë nga kryesia dhe masat e propozuara sot, nuk janë masa përjashtimi por shkarkim nga funksionet për shkak të dhunimit flagrant të statutit me pasoja për PD. Është i paprecedent sulmi dhe presioni që ju bëhet demokratëve. Ka presion dhe kërcënim nga ish zyrtarë të lartë apo zyrtarë që kërcënojnë anëtarë të Këshillimit Kombëtar për të qenë pjesë e mbledhjes. Është e pa pranueshme të mbyllim sytë. Unë e refuzoj këtë dhe ta refuzojë çdokush prej nesh“, është shprehur Basha para demokratëve.
Rezolutë e miratuar e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike:
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur sot në 12 dhjetor 2021 në përmbushje të përgjegjesive të veta politike dhe statutore, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve,
-Diskutoi mbi situatën shqetësuese të krijuar nga lëvizja e zotit Sali Berisha pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar dhe tubimi i tij përmbledhës i datës 11 dhjetor;
-Konstatoi se thirrja e ketij tubimi me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimarrjen e saj si institucion politik;
-Vëren se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore;
-Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA.
-Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike.
-Afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës.
– Konsideron se duke instrumentalizuar disa problematika të brendshme të Partisë Demokratike, shqetësimet dhe ndjeshmëritë e sinqerta të mjaft demokratëve pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, si dhe duke mobilizuar e mbedhur rreth vetes një grup organizatorësh me agjendë dhe interesa personale të së shkuarës dhe të sotmes, lëvizja “Berisha” për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e deklaroi hapur në fjalën e tij, Sali Berisha hodhi dje bazat e një organizatë politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës.
-Partia Demokratike distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar me SHBA.
-Këshilli Kombëtar apelon demokratët që ishin në tubimin e 11 dhjetorit për shqetesimet e tyre legjitime, që nuk kanë lidhje me agjendën dhe interesat përsonale të Sali Berishës, të reflektojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me shumicën e demokratëve rreth historisë dhe vlerave të shenjta të Partisë Demokratike.
-Këshilli Kombëtar e konsideron luftën kundër korrrupsionit dhe pandëshkushmërisë në sferat e larta si një element kyç për vendosjen e shtetit të së drejtës, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, integrimin e Shqipërisë në BE, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, zhvillimin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare.
Në ketë luftë vendosja nga SHBA e antikorrupsionit si përparësi e politikës së saj dhe përdorimi i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend
-Këshilli Kombëtar shpreh vlerësimin dhe e mbështetjen e plotë për ngritjen në një nivel të ri dhe më të ngushtë të marrëdhënive të bashkëpunimit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të partisë me SHBA.
-Këshilli Kombëtar mbështet të gjithë veprimtarinë dhe vendimarrjen e Kryetarit, Kryesisë dhe Grupit Parlamentare për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe altenativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse.