Sot merr fund një nga “betejat” e brendshme partiake më interesante të shumë viteve të fundit në Greqi , pasi partia socialiste “Lëvizja për Ndryshim” ose siç emërtohet përsëri me emrin e saj të dikurshëm “PASOK” , zgjedh liderin e saj të ri.
Një jave më parë, më shumë se 270.000 simpatizantë, anëtarë e mbështetës të saj, votuan në raundin e parë, në një garë ku merrnin pjesë 6 kandidatë, mes të cilëve Nikos Androulakis dhe Jorgos Papandreu, kanë dalë fitues për të vazhduar sot në raundin e dytë, me përkatësisht 37.11% dhe 27.6% të votave.
Sipas analistëve, eurodeputeti Nikos Androulakis ka një epërsi të fortë, ndoshta të pakthyeshme në bazë të parashikimeve, ndaj ish-kryeministrit Jorgos Papandreu, i cili ka luftuar fort për të ndryshuar balancat e raundit të parë, aq sa edhe mediet europiane kanë bërë pyetjen nëse ai do të jetë “feniksi” i politikës greke.
Pasok-u, një parti historike në Greqi, pa popullaritetin e saj në rënie, pasi qeveria e udhëhequr nga Jorgos Papandreu në vitin 2010, nënshkroi memorandumin e parë të shpëtimit të vendit me FMN me fillimin e krizës ekonomike dhe më pas nënshkroi si pjesë përbërëse e një koalicioni me partinë konservatore dhe dy memorandume të tjera ndihmash ekonomike me BQE dhe BE.
Ishte një nga momentet më katastrofike të pasluftës për Greqinë, kur GDP-ja u zvogëlua me 25%, pensionet u përgjysmuan dhe mbi 500.000 grekë të arsimuar u larguan nga vendi, ndërsa varfëria u rrit nën ekonominë e politikave te ashpra te kursimit të imponuara nga BE dhe FMN.
Analistët vlerësojnë gjithashtu se orientimi ideologjik i liderit të ardhshëm të Pasok-ut do të përcaktojë aleancat e ardhshme qeveritare dhe do ta kthejë partinë në një king-maker të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme.
Papandreu konsiderohet si dashamirës për mbështetjen e forcave politike të majta dhe progresive, ndërsa rivali i tij, eurodeputeti Androulakis, nuk ka mbajtur një qëndrim të qartë.
Zgjedhjet në gjirin e socialistëve shihen me një interes të veçantë jo vetëm ne Greqi, por edhe jashtë saj, sidomos në një moment kur vërehet një rritje e lehtë e sondazheve për partitë e tjera socialiste në të gjithë BE-në, pas fitores së Socialdemokratëve në Gjermani dhe formimin atje të qeverisë së koalicionit.
Në të njëjtën kohë, kanë ngjallur edhe lëvizje të shumta brenda partisë së dyte më të madhe në Greqi, “Syriza”, e cila ka në gjirin e saj shumë prej ish-anëtarëve dhe simpatizantëve të dikurshëm të PASOK-ut dhe pritet me interes nëse do të ketë një hartë të re të shpërndarjes së forcave politike në vend.
Kutitë e votimeve për raundin e dytë janë hapur në orën shtatë të mëngjesit, mbyllen në shtatë të mbrëmjes dhe rezultati se kush do të jete lideri i ri i socialisteve grekë do të mësohet pas orës nëntë të mbrëmjes.
Top Channel