Po vazhdojnë përpjekjet e pastrimit dhe rimëkëmbjes pasi mbi 20 tornado shkatërruan një numër qytetesh në gjashtë shtete amerikane. Autoritet thonë se tornadot kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 70 personave.
Shkatërrim e me dhjetra të vdekur kanë lënë pas tornadot që goditën 6 shtete amerikane.
“Kjo ka të ngjarë të jetë një nga valët më të fuqishme të tornadove në historinë e vendit. Ne do ta kalojmë këtë situatë së bashku dhe qeveria federale nuk do të braktisë komunitet e rajoneve të goditura”, tha Presidenti Biden.
Pjesa më e madhe e qytetit të vogël të Mejfildit në Kentaki është shkatërruar nga stuhitë e fuqishme.
“Gjithë qyteti ynë duket thjesht si një zonë e shkatërruar. Kemi marrë ndihmën më të jashtëzakonshme nga ekipet e emergjencës, të cilat po bëjnë një punë shumë të mirë”, tha kryebashkiakja e qytetit të Mejfildit, Kathy O’nan.
Ndërtesa, ku më parë Myna Smith trajtonte pacientët e saj, është dëmtuar rëndë.
“Pacientët prisnin në këtë hapësirë”, thotë ajo.
Tani, klinika e saj e shëndetit mendor është shkatërruar nga tornadot.
Një fabrikë e prodhimit të qirinjve është shkatërruar dhe ekziston frika që 110 punëtorë ndodheshin brenda saj kur ajo u godit nga stuhia.
“E gjithë ndërtesa u shemb”, tha Kyanna Parsons Perez në një video që kishte filmuar disa minuta pas rrëzimit të ndërtesës.
Pamjet e filmuara me një dron tregojnë nivelin e shkatërrimit në Boulin Grin të Kentakit, pas goditjes nga një tornado me erëra që arritën shpejtësinë prej 240 kilometrash në orë.
“Kjo është shumë e rëndë, njerëzit humbën shtëpitë dhe jetën e tyre. Kjo nuk mund të përshkruhet me fjalë”, tha Jimmy Flemming.
Tornadot shkatërruan një objekt magazinimi të kompanisë Amazon në Eduardsvil të Ilinoit, ku zyrtarët kanë konfirmuar vdekjen e të paktën gjashtë njerëzve.
“Sot kërkoj nga ju që të luteni për viktimat dhe familjet e tyre”, tha kryebashkiaku i Eduardsvilit, Art Risavy.
Dëme të mëdha dhe viktima ka patur edhe në shtetin e Arkansasit.
Pas shpalljes së gjendjes emergjente nga Presidenti Biden, Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas, së bashku me agjencinë federale të emergjencave, FEMA do udhëtojë në Kentaki për të vlerësuar dëmin e shkaktuar nga tornadot./VOA/