Tomas Strakosha është kthyer në një çështje të rëndësishme për Lacion kohët e fundit. Portieri shqiptar humbi vendin e titullarit sezonin e shkuar për shkak të afrimit të Pepe Reinës, duke lëkundur kështu për të parën herë pozitat e tij në klub.
Diçka kjo që sigurisht nuk u prit mirë nga 26-vjeçari, duke pasur parasysh faktin se Reina u transferua me qëllimin për të rritur më tepër cilësitë e tij jo për ta ulur në stol.
Por situata tashmë po merr një tjetër rrjedhë. Gardiani spanjoll nuk po bind më mes shtyllave dhe më shumë është detyruar të nxjerrë topat nga rrjeta se sa ti grushtojë jashtë saj.
E nëse bashkangjisim këtu edhe moshën e madhe të tij nuk është një alternativë serioze dhe afatgjatë për Lacion. Me një Reina që nuk po bind sytë po kthehen gjithnjë e më tepër drejt Strakoshës, por ky i fundit ka nisur “hakmarrjen” e tij të ëmbël.
Kontrata e portierit shqiptar përfundon në fund të sezonit dhe rinovimi po rezulton një sfidë më vete për Igli Taren. Strakosha refuzon të zgjasë kontratën dhe dëshiron largimin nga Lacio.
Me një portier të madh në moshë që nuk po bind në fushë dhe me një tjetër që kërkon largimin, klubi bardhekaltër është futur në ankth për portën./Halit Delibashi-Sport Ekspres/